PRISHTINË, 16 Shkurt /ATSH/.-Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, diskutoi lidhur me përgatitjet për seancën solemne, e cila do të mbahet në kuadër të shënimit të 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Seanca mbahet nesër më 17 shkurt në orën 15:00. Në mbledhjen e sotme Kryesia shqyrtoi edhe disa kërkesa e rekomandime. Ajo vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të kërkojë nga qeveria e Kosovës që sa më shpejtë t'i procedojë propozimet për anëtar të Bordit të AKP-së.
Në vazhdim, u shqyrtua propozimi i Komisionit për Punë të Jashtme për formimin e grupeve të miqësisë dhe riformimin në fillim të mandatit të ri parlamentar. U vendos të kërkohet nga grupet parlamentare, që të sjellin emrat për anëtarë të këtyre grupeve, ndërsa themelimi i tyre do të bëhet me vendim të Kryesisë.
Anëtarët e Kryesisë u njohën edhe me vendimin e Grupit Parlamentar Nisma për emërimin e deputetes Valdete Bajrami, kryetare të këtij grupi parlamentar./b.j/k.s/










