PRISHTINË, 21 Shkurt/ATSH/.- Lëvizja Vetëvendosje ka filluar sot votimin për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie në Prishtinë, ku kandidaturë e vetme ëshë deputeti Visar Ymeri.
Në një prononcim për mediat pas votimit, lideri i kësaj Lëvizje, Albin Kurti, tha se Vetëvendosje me zgjedhjet e saj po dëshmon lirinë dhe demokracinë që ka për brenda.
I pyetur nëse është demokraci kandidimi i vetëm një kandidati për kryetar, Kurti tha se "të gjithë kanë pasur mundësinë të kandidojnë, sikurse kanë mundësinë të votojnë".
Kurti nuk ka bërë të ditur nëse ka votuar pro apo kundër kandidatit të vetëm për kryetar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Bashkë me Kurtin kanë votuar edhe Ilir Deda, Xhelal Sveqla e anëtarë tjerë të Vetëvendosjes.
Sot do të votohet në Artanë, Besianë, Dardanë, Drenas, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Hani i Elezit, Kaçanik, Lipjan, Prishtinë, Shtërpcë, Skënderaj dhe Viti.
Kurse, nesër në Deçan, Gjakovë, Istog, Junik, Kastriot, Klinë, Malishevë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Rahovec, Sharr, Shtime, Therandë dhe Vushtrri.
Votimi do të mbahet gjithashtu në datat 21 dhe 22 shkurt në gjashtë qendra të mërgatës: Angli, Austri, Belgjikë, Gjermani, Norvegji dhe Zvicër./Kosovapress/k.s/







