PRISHTINË, 13 Shkurt /ATSH/.- Seanca e Kuvendit të Kosovë ka vazhduar sot me shqyrtimin e projektligjit për ndërmarrjet publike, ku pozita kërkoi të riformulohet paragrafit 11.3, kurse opozita kërkoi që ky nen të hiqet.
Kryeministri i vendit Isa Mustafa duke folur për projekligjin për ndërmarrjet publike tha se në këtë projektligj ka nevojë për ndryshime, sidomos ato të cilat përcaktojnë komptencat e komunave, pikë kjo që ka nxitur debate mes deputetëve.
"Qeveria e Serbisë nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë ligj", tha Mustafa duke këshilluar deputetët opozitarë të mos merren me Aleksandër Vuçiçin.
Kreu i qeverisë tha se duhet të dihet se çfarë po kërkojmë nga Trepça dhe cilat janë përfitimet që duam të kemi nga ky gjigand ekonomik dhe se parapërcaktimi i pronësisë së Trepçës në këtë fazë nuk do ta shpëtonte atë.
Kryeministri ka replikuar me shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosje Visar Ymeri, i cili ka thënë se kjo pikë e nenit 11 për ndërrmarrjet publike ka ardhur si kompromis i qeverisë së vendit me Listen Serbe, përkatësisht me qeverinë e Serbisë.
"Nuk dëshiroj të polemizoj me dikë se a janë ndikime të jashtme apo jo sepse unë nuk mund ta konsideroj Vuçiçin si kryeministër të Kosovës dhe se ai vendos për Kosovën dhe për të gjitha çështjet në Kosovë. Unë iu garantoj se as Vuçiç e as qeveria e Serbisë nuk kanë ndikuar në këtë dhe kompleksin e Vuçiç duhet ta hiqni të gjithë dhe një herë e përgjithmonë të mos merremi me të po le të merret ai me Serbinë, sepse ka probleme të mëdha në Serbi dhe ne të merremi me Kosovën. Ne nuk e kemi tërhequr projkeligjin paraprakë për Vuçiçin. Është e vërtetë se ne e kemi propozuar atë projektligj, por është e vërtetë se ne kemi dashur të shpëtojmë Trepçën nga likuidimi", tha Mustafa.
Ndërsa deputetët nga ana e pozitës u pajtuan se duhet të bëhet riformulim i pikës 11.3 dhe thanë se do të votojnë pro këtij leximi të parë, deputetë e opozitës kërkuan që kjo pikë të hiqet krejtësisht.
Visar Ymeri nga Vetëvendosje, kërkoi nga qeveria që të tregojë hapur se pika të veçanta të këtij projektligji janë paraqitur para deputetëve si pasojë e kompromiseve të qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë.
Kurse Fatmir Limaj nga Nisma thënë se këtu nuk po flasim për një ligj, por për dy nene saktësisht një gjysmë neni e të cilin e ka quajtur problematik, dhe se të tjerat nene të këtij ligji janë të parëndësishme. Ai ka kërkuar që të gjitha grupet parlamentare të bashkohen e të harmonizojnë planin e veprimit për Trepçën.
Ndërsa, në emër të grupit parlamentar të AAK-së foli Pal Lekaj, i cili tha se pa u hequr paragrafi 11.3 ky projektligj nuk do ta ketë votën e subjektit të tij.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh se në se në rast se qeveria nuk merr anën e popullit, i cili për bukë të gojës po ikën nga vendi çdo ditë, ka kërcënuar qeverinë se pranvera po vjen dhe se do të kenë punë me popullin, i cili për të mbrojtur këto interesa do të dalë sërish në rrugë.
Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se "ata zëra të ndryshëm që sot u dëgjuan këtu do të ishte mirë që të koordinohen me anëtarët e grupeve të tyre parlamentare në mënyrë që t'i diskutojmë në mënyrë konstruktive, këtu ku është vendi dhe jo të përmenden demonstratat, të ngrihen tonet, të përmenden veprat penale e tjerë-tjerë", ka thënë ai.
Ndërkohë debate për projektligjin për ndërmarrje publike vazhdon ende, pasi që deputët të kthehen nga pushimi që do të zgjasë deri në orën 15:00. /KosovaPress/k.s/











