Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.
“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.
Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.
“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.
Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.
Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.
“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.
Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.
Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.
Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.
Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill./ REL
Komente









