Kosovë/ Lista Serbe: Do marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.

Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.

Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe tha: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”.

“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.

Deri në njoftimin e së premtes nuk ka qenë plotësisht e qartë nëse Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – do të merrte pjesë në zgjedhje, edhe pse kryetari i saj, Zllatan Ellek, kishte paralajmëruar pjesëmarrjen muajin e kaluar.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë të vetmit që përfaqësojnë interesat e popullit serb në Kosovë dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një halë në sy për regjimin e [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Lista Serbe, e cila ia ka bojoktuar seanca parlamentare prej nëntorit të vitit 2022.

Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.

Deputetët e saj nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” - siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës - por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet. Deri në incidentin e së enjtes, deputetët e Listës Serbe ishin nënshkruar në Kuvend pa pengesa.

Instituti Demokratik i Kosovës tha të enjten se deputetët e Listës Serbe u penguan jashtëligjshëm nga kryetari Konjufca dhe deputetët e shumicës parlamentare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

"Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit", tha Instituti, duke shtuar se në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesmarrjen në punimet e Kuvendit./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Dy të vrarë nga të shtënat me armë brenda një fabrike në Gjermani, autori i maskuar u arratis pas sulmit

Dy të vrarë nga të shtënat me armë brenda një fabrike në Gjermani, autori i maskuar u arratis pas sulmit