Me qëllim kursimin më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka vendosur të subvencionojë rreth dy mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre.
Projekti në total kap vlerën 10 milionë Euro tha dje Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për median.
Qytetarët mund të aplikojnë nga 8 gushti deri më 25 shtator 2023. Ata, të cilët i plotësojnë kriteret, do të përfitojnë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar. Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi dje se me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër, e më i freskët në verë dhe ky investim do të ndikojë direkt edhe në faturën e energjisë elektrike për familjet, por edhe për nevojën për subvencionim rast të krizave më të cilat jemi përballur vitet e kaluara.
“Të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë subvencion prej 45% të vlerës së investimit, për t’i rinovuar shtëpitë e tyre, për t’i bërë ato më efiçiente. Qytetarët mund aplikojnë për renovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve, dritareve dhe izolimin e kulmit”, pohoi Rizvanolli.
Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.