PRISHTINË, 18 Shkurt /ATSH/.- Ministri kosovar i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, të enjten dhe të premten, do të vizitojë Shqipërinë, ku do të takojë homologët e tij.
Fillimisht të enjten ministri Agani, do të qëndrojë për vizitë në Kukës, ku së bashku me drejtuesit e kësaj komune dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, do të vizitojnë liqenin e Fierzës, me qëllim të informimit dhe gjetjes së një mënyre të bashkëpunimit ndërshtetëror për pastrimin e këtij liqeni, që përllogaritet si aset me rëndësi të veçantë. Sipas axhendës, do ketë edhe takim në Prefekturën e Kukësit.
Ndërsa të premten, ministri Agani do të zhvillojë takim me Ministren e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni dhe me Ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
"Temë e diskutimeve do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin dhe planifikimin hapësinor dhe mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushat përkatëse", theksojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës./b.j/k.s/