PRISHTINË, 2 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Në ambientet e Kazermës "Adem Jashari" të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, në Prishtinë, sot u mbajt takimi i radhës me atashetë ushtarakë të akredituar në Republikën e Kosovës. Në takim morën pjesë ministri i FSK-së në detyrë, Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, si dhe stafi i lartë i MFSK-së dhe FSK-së.
Në fjalën e tij, ministri Agim Çeku falënderoi të gjithë atashetë ushtarakë për angazhimin dhe për bashkëpunimin e mirë që kanë me FSK- në dhe më pastaj i njoftoi për situatën e tanishme politike dhe ndikimin që ka kjo në proceset e FSK-së. Ministri foli edhe për procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS) si dhe planin e implementimit të RSSS-së.
Gjithashtu, ministri Çeku, sipas zyrës së tij, njoftoi me disa nga të arriturat e FSK-së, intervenimin me sukses në Termocentralin Kosova A dhe pjesëmarrjen e kadetëve të FSK-së, në "Kampin Veror 2014" mbajtur në Krivollak, Maqedoni.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i njoftoi atashetë për ngritjen e vazhdueshme të FSK-së, si një forcë profesionale dhe shumë etnike, si dhe me mirëmbajtjen e kapaciteteve operacionale, angazhimin në deminim, operacionet e kërkim-shpëtimit dhe projektet humanitare të FSK-së. "Gatishmëria për të reaguar sa më shpejt dhe me efikasitet e FSK-së në rast të ndonjë krize apo fatkeqësie është treguesi më i mirë i moralit të lartë dhe profesionalizimit të pjesëtarëve të FSK-së. Rasti i shpërthimit në Termocentralin Kosova A dhe reagimi profesional i FSK-së është edhe një shembull tjetër, që tregon se FSK tashmë ka arritur standarde të larta profesionale dhe gatishmëri të lartë për të reaguar", tha gjeneral Kastrati.
Ndërsa, për bashkëpunimin rajonal, gjeneral Kastrati tha se, "FSK ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me forcat e vendeve të rajonit dhe po merr pjesë nëpër shumë aktivitete, ushtrime dhe trajnime të përbashkëta me vendet e rajonit dhe më gjerë. Këto arritje janë bërë me gatishmërinë dhe impenjimin e vendeve partnere, pra vendeve tuaja të cilat e kanë përkrahur dhe po e përkrahin vazhdimisht FSK-së në ngritjen e vazhdueshme profesionale përmes trajnimeve, shkollimeve, asistencës me pajisje dhe këshillime në shumë fusha të misionit".
Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati ka falënderuar atashetë dhe shtetet e tyre, për përkrahjen e vazhdueshme për FSK-në. "Përkrahja juaj e vazhdueshme dhe shumëdimensionale në shumë aspekte si me trajnime, shkollime, pajisje, përmes bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, padyshim se ka kontribuar në atë që FSK-ja ka arritur ku është sot", u shpreh ai.
Gjeneral Kastrati kërkoi pjesëmarrjen e FSK-së për të asistuar dhe për të dhënë kontributin e saj me vendet partnere.
Në takimin e sotëm morën pjesë atasheu ushtarak i Amerikës, kolonel Jejms Kot, atasheu ushtarak i Republikës së Shqipërisë, kolonel Fiqri Hoxha, atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë, kolonel Hasan Aydogdu, atashu ushtarak i Republikës së Italisë, kolonel Luciano Palcani, atasheu ushtarak i Republikës së Maqedonisë, kolonel Dolce Kuzmanov, atasheu ushtarak i Republikës së Kroacisë, kolonel Ivica Mateshiq, atasheu i Suedisë, nënkolonel Kurt Jakobson, atashe i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel Richard Parry, e të tjerë.
Takimet me atashetë ushtarakë janë takime të rregullta dhe konfirmojnë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së me ushtritë e vendeve të cilat përfaqësojnë atashetë e akredituar në Republikën e Kosovës./k.s/