Vetëm pak orë më parë, pas plagosjes së 2 ushtarëve të KFOR gjatë mëngjesit të sotëm, në veri të Kosovës u regjistruan konflikte të tjera duke lënë të plagosur ndërmjet forcave ushtarake dhe civilëve serb.

Sipas një njoftimi të ri të dhënë nga KFOR-i, pas dy plagosjeve me armë zjarri të njoftuara më herët, edhe ushtarë të tjerë janë lënduar pasdite.

Ushtarët janë lënduar gjatë një operacioni të KFOR-it për zhvendosjen e një barrikade në Jagnjenicë në Zubin Potokut.

Zëdhënësi i KFOR-it ka konfirmuar se ka përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, e cila po kundërshton heqjen e barrikadës.

Mediet serbe ndërkaq citojnë zyrtarë të shtëpisë së shëndetit në Zubin Potok, të kenë thënë se “30 – 50 qytetarë kanë marrë lëndime gjatë konfrontimeve të sotme, por që asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën”.