Prishtinë, 26 Janar/ATSH/ -. Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi të hënën aktet e dhunës së shfaqur gjatë protestave të së shtunës dhe sulmet ndaj institucioneve.
"Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme dhe i dënon ashpër aktet vandale të disa protestuesve ndaj policisë, objekteve qeveritare, pronave private, përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha dhunën fizike ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria konsideron se sjelljet e manifestuara nga disa protestues nuk pasqyrojnë kulturën tonë demokratike.
Qeveria kërkon nga organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi për aktet vandale", u shpreh Mustafa në mbledhjen e kabinetit të mbajtur sot.
Mustafa po ashtu, sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress, kërkoi nga ata që kanë organizuar protestën që të mos e kthejnë debatin nga Kuvendi në shesh, pasi sjelljet e shfaqura të shtunën nuk pasqyrojnë demokracinë në vend. Mustafa kërkoi nga policia dhe institucionet e tjera të vendit që mbi bazë të ligjit dhe Kushtetutës të ruajnë këto institucione dhe qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi gjatë mbledhjes se ishin pro të drejtës për protestë dhe se është e vetëdijshme për situatën e rëndë ekonomike në vend, shkallën e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, situatë për të cilën u zotua se do të punohet me përkushtim për ta tejkaluar atë
"Këto shqetësime, Qeveria i ka vendosur në agjendën e prioriteteve dhe do të punojë më shumë përkushtim që t'i realizojë gjatë mandatit të saj", ka thënë Mustafa.
Ministri Aleksander Jabllanoviq tha se me deklaratat e tij, nuk kishte qëllim fyerjen e nënave gjakovare. "Unë e kam sqaruar dhe më parë deklaratën time. Më vjen keq që deklarata ime është keqinterpretuar dhe po shfrytëzohet për të protestuar. Unë do të punoj për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Edhe njëherë më duhet të iu them që nuk kam pasur për qëllim të ofendoj nënat gjakovare", tha Jabllanoviqi.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua projekt-programi kombëtar për reformat në ekonomi për vitin 2015 si dhe u miratua shqyrtimi i raportit vjetor financiar për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2014./a.gjonaj/f.n/










