PRISHTINË,  21 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, lidhur me kërkesën e Presidentes së Republikës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështje kushtetuese, eshte shprehur se "Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë për gjithë ata që duan ta kenë të qartë jetën demokratike. Qeverinë e krijon ai që e arrin shumicën në Kuvend".
Këtë shumicë, vijon ai, nuk e ka fituar në mënyrë të veçantë asnjë subjekt gjatë zgjedhjeve.Prandaj, shtoi ai, edhe Presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kemi të gjithë ne. "Kushtetuta jonë nuk është rast i veçantë kundrejt kushtetutave të vendeve të tjera demokratike dhe praktikave të njohura nga vendet evropiane. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta interpretojë, edhe kësaj radhe, Kushtetutën si në rastin e Presidentes dhe të na tregoj se çfarë pret populli'", përfundoi kreu i LDK-së, Mustafa.
Në Kosovë, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, janë ngritur debate se mandatari për formimin e qeverisë së re a do të jenë i nominuari nga subjekti politik fitues - Partia Demokratike e Kosovës në koalicion parazgjedhor me katër parti të tjera të vogla, apo i nominuari nga koalicioni paszgjedhor i dy partive të opozitës - Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektit të ri politik Nisma për Kosovën./i.v//a.ke/