PRISHTINË, 16 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, morën pjesë të hënën në ekspozitën #Instakosova, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të kremtimeve të shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Fituesja e fotografisë më të mirë është përzgjedhur Sara Rodiqi me fotografinë "N'kamp verës në Ngom Fest, Prizren".
Juria përzgjedhëse ka vlerësuar se "fotografia përkatëse është e pa ekzagjeruar, plot jetë, foto shokësh që me vete e kanë botën dhe limiti i kufijve të këtij vendi nuk ua limiton lidhjen utopike me hapësirën, me njëri-tjetrin dhe me ne si vëzhgues. Nuk është foto e shikimit të parë, është foto që rritet, zbukurohet, shtohet derisa e sheh".
Ndërsa fituesit e dhjetë fotografive më të mira janë: Jetmir Idrizi, Diellza Hasani, Armend Krasniqi, Agon Syla, Agron Beqiri, Nita Deda, Orgesa Arifi, Fisnik Dobreci, Drenusha Lika, Nëntor Oseku.
Pavarësia e Kosovës e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është njohur deri tash nga 108 shtete anëtare të OKB-së./a.gjonaj/f.n/












