PRISHTINË, 13 Shkurt/ATSH/.- Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e njohu sot ambasadorin norvegjez, Jan Braathu, me gjendjen në fushën e arsimit në Kosovë, gjatë një vizite, që ky i fundit bëri MASHT-it.
Sipas një komunikate për media të MASHT, Bajrami bisedoi me ambasadorin Braathu për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit me Norvegjinë, si dhe e ka falënderuar atë për ndihëm e dhënë nga ky shtet deri më tani.
"Arsimi tashmë po bëhet prioritet i qeverisë së re, ndërsa prioriteti im si ministër është ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit", tha Bajrami. Sa i përket arsimit të lartë, ministri e informoi ambasadorin norvegjez se jemi në prag të fillimit të debatit për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe se me këto ndryshime që planifikohen, do të sigurohet autonomi e plotë për universitetet.
Ambasadori i Norvegjisë, Braathu, premtoi bashkëpunim të mëtejshëm me qëllim arritjen e synimit për cilësi në arsim, ndërsa tha se "arsimi dhe aftësimi profesional i të rinjve të Kosovës, por edhe i çdo vendi tjetër është shumë i rëndësishëm, sepse kështu ata do ta kenë më të lehtë të jenë në treg të punës"./Kosovapress/










