Përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president po has në kundërshtimin e dy partive kryesore opozitare. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëri të qartë se nuk do ta votojë kandidatin e propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do t'i bashkohet marrëveshjes së arritur mes dy partive dhe nuk do të mbështesë Sejdiun për president.
“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, tha Hamza.
Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim me Sejdiun dhe se, nëse zgjidhet president, ai duhet të jetë një figurë unifikuese.
“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, u shpreh kreu i PDK-së.
Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i cili deklaroi se AAK nuk ka asnjë detyrim ndaj marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.
“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshjeje që bëjnë dy parti politike të tjera. S'kam kohë për kësi lojërash të fëmijëve që janë me qëllim mashtrimin e opinionit publik dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje. Jemi qind për qind unik. Çfarëdo vendimi që merret në Aleancë, grupi parlamentar është unik”, tha ai.
Bekim Sejdiu u propozua si kandidat i përbashkët për president nga LVV-ja dhe LDK-ja pas marrëveshjes së arritur më 31 gusht, në përpjekje për t'i dhënë fund ngërçit politik që ka bllokuar krijimin e institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.








Komente
Komento