PRISHTINË, 27 Janar /ATSH/.-Tre raste të gjetjes së mjeteve shpërthyese janë raportuar nga Policia e Kosovës në 24 orët e fundit.
Në Prishtinë ka pasur edhe evakuim të banorëve nga ndërtesa, pasi Policia është njoftuar se në një nga banesat gjenden disa mjete shpërthyese. "Ishin 24 detonatorë ushtarakë, të cilët janë tërhequr nga njësia dhe më pas qytetarët janë kthyer në banesat e tyre", thekson sot Policia e kryeqytetit kosovar.
Ndërsa, në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë një banor ka njoftuar policinë se skajë rrugës kishte vërejtur një mjet shpërthyes. Njësiti i FSK-së së bashku me njësitin e KFOR-it amerikan kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kanë marrë granatën e dorës të prodhimit jugosllav M 75, e cila ishte e paketuar në plastikë me ngjyrë të gjelbër.
Në fshatin Doganaj të Ferizajt, një banor ka raportuar në polici se në afërsi të shtëpisë së tij kishte vërejtur një mjet shpërthyes, i cili më pas është tërhequr nga njësiti për deminim i FSK-së, pa incidente.
Në Kosovë, në raportet e Policisë, rastet e gjetjes së mjeteve shpërthyese janë thuajse të përditshme. Shumë mjete shpërthyese të pashpërthyera, përfshirë zonat e minuara nga forcat serbe, kanë mbetur që nga lufta e para mëse 16 viteve./b.j/k.s/