/ATSH/.- Policia e Kosovës pas reshjeve të dëborës bën të ditur se në bazë të informacioneve zyrtare nga të gjitha drejtoritë rajonale policore, të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme, por në disa prej tyre janë paraqitur vështirësi për qarkullim kryesisht për mjetet e rënda transportuese.
Rrugët në të cilat janë paraqitur vështirësi për qarkullim janë kryesisht në zonat malore, përfshirë edhe dy rrugët në drejtim të vendkalimeve kufitare Pejë-Kullë drejt Malit të Zi dhe në Keçekollë-Mutivodë drejt Serbisë.

Në disa rrugë janë paraqitur edhe ngrica, sidomos në orët e vona dhe të hershme të mëngjesit, prandaj Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të fushës së komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, t'iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atmosferike, pasi këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.