Kosovë, pritet kthimi i serbëve në qeveri


 
PRISHTINË, 19 Shkurt /ATSH/.-Kryeminsitri Isa Mustafa shpreson se të emëruarit nga Lista Serbe do të kthehen në qeverinë e Kosovës.
"Ata mbesin anëtarë të qeverisë së Kosovës. Shpresoj se së shpejti do të kthehen. Nuk kam një përgjigje të saktë se kur ata do të vijnë dhe të marrin pjesë në seancën e qeverisë. Por do ta bëjnë edhe propozimin për një anëtar të qeverisë në vend të ish-ministrit Jablanoviç", ka thënë Mustafa, i cituar në shtypin e sotëm kosovar.
Ai ka nënvizuar se pjesa tjetër e koalicionit është e interesuar që të ketë një bashkëpunim të mirë me Listën Serbe në mënyrë që pjesëmarrja e tyre të ndikojë në zgjidhjen e problemeve konkrete jo vetëm të qytetarëve serbë në komunat me shumicë serbe, por edhe qytetarëve të tjerë, "sepse ata udhëheqin ministri që përkujdesen për problemet e të gjitha komuniteteve në Kosovë".
Shtypi Kosovar shkruan sot se zëvendëskryeministri nga Lista Serbe, Branimir Stojanoviç, është takuar me komisionerin e BE-së, Johannes Hahn, në ndërtesën e Zyrës së BE-së në Prishtinë. Sipas kryeministrit Mustafa, i cili ka folur dje në konferencë shtypi, ky veprim ka qenë vlerësim i Stojanoviçit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe komisioneri i BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili ka vizituar për herë të parë Kosovën, dje, pas takimit, kanë mbajtur mbledhje të përbashkët me kabinetin qeveritar të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një seancës plenare në fillim të shkurtit konstatatonte se nga grupi parlamentar i Listës Serbe askush nuk ishte i pranishëm, ndërsa media kosovare theksonte se, "serbët e ngrijnë pjesëmarrjen në Kuvend e Qeveri" si reagim pas shkarkimit të Aleksandar Jablanoviç nga posti ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Në qeverinë e Kosovës dy ministri udhëheqen nga serbët, të cilët kanë edhe një post zëvendëskryeministri. Ndërsa në Kuvendin e Kosovës, nga 10 deputetët e komunitetit serb 9 janë të Lisës Serbe.
"Presim nga përfaqësuesit e komuniteteve, sidomos atij serb që të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të reflektojnë përcaktimin e tyre për këto institucione, si shprehje e përkushtimit për zgjidhjen e problemeve të çdo qytetari, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare e gjinore", theksonte kryeministri Mustafa në 17 shkurt në seancën solemne të Kuvendit në 7 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë./b.j/k.s/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale