Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë hyrë sot në grevë për shkak të mosmarrjes së pagave. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se greva do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, me pezullimin e të gjitha punëve në të gjitha sektorët e institucionit.
Punonjësit kanë dalë jashtë ambienteve të TV por edhe brenda ndërsa mbajnë në duar pankartat "Pa paga, nuk ka punë", "Greva është zëri ynë", "Grevë, dinjitet, zë" etj. Sipas sindikatës, vendimi për grevë vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash të injoruara dhe për shkak të rrezikut për vazhdimësinë e RTK-së për shkak të pagave të bllokuara.
Edhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ka njoftuar se, duke filluar nga dita e sotme, do të organizohet një grevë njëorëshe para ndërtesës së institucionit. Shoqata kërkon nga organet përgjegjëse ndërhyrje urgjente për të garantuar të drejtat ligjore të punëtorëve dhe për të siguruar funksionimin normal të RTK-së.
Sindikatat paralajmërojnë se greva do të vazhdojë deri në alokimin e buxhetit për RTK-në dhe se në ditët në vijim do të organizohen edhe protesta para Qeverisë dhe Kuvendit. Ata paralajmërojnë se mungesa e pagave dhe moszgjidhja institucionale rrezikon funksionimin e programeve dhe misionin publik të transmetuesit të vetëm shtetëror në vend.
Lajmi kryesor:
Prishtina pa transport publik, punonjësit në protestë! Përparim Rama: Qeveria po mban peng pagesat! Në grevë edhe punonjësit e RTK











