PRISHTINË, 30 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.- "Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës ne njërën anë dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër", ishte sot në axhendën e mbledhjes së qeverisë së Kosovës.
U vendos unanimisht që Marrëveshja të procedohet në Kuvendin e Kosovës, për seancën e të hënës. Ndërkohë që qeveria do të mblidhet sërish pasdite.
Të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kështu vendosi dje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli.
Ndërsa, seanca plenare e përcaktuar ditë më parë nga Kryesia, për të njëjtën ditë dhe orë, është shtyrë.
Në mbledhjen e sotme, kryetari Veseli e njoftoi Kryesinë se më 6 nëntor, Kosovën do të vizitojë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh pritet të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Kryeministri Isa Mustafa, me atë rast tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. "Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë", theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . "Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim", u shpreh komisioneri Hahn.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetarët e grupeve parlamentare janë ftuar në një mbledhje të përbashkët edhe për dje në mesditë, të tretën në tre ditë, derisa pritjet ishin që Kuvendi në seancë plenare ta ketë së shpejti në axhendë ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, të nënshkruar mes Kosovës e Bashkimit Evropain në Strasbourg, dy ditë më parë.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se "ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera", është konfirmuar se "opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në".
Deri sot, në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar ndonjë orë pas kohës së mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese të hënën, në 2 nëntor, e cila dje u anulua.
Dje, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare, vendosi që sot Kuvendi të mbante mbledhje të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë./k.s/