PRISHTINË, 5 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme duke vlerësuar gjendjen emergjente në Republikën e Shqipërisë, pas vërshimeve të ditëve të fundit, ka aprovuar vendimin për dërgimin e një Kontingjenti të Forcës së Sigurisë për operacione humanitare në Republikën e Shqipërisë. Vendimi i është dërguar Presidentes së Kosovës për autorizim të operacionit sipas ligjit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, zhvilloi dje një bisedë telefonike me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë bisedës u diskutua për gjendjen e shkaktuar nga vërshimet që kanë përfshirë zonat në jugun e Shqipërisë.
Kryeministri Mustafa i premtoi kryeministrit Rama se qeveria e Republikës së Kosovës do të dërgojë kontingjente të njësiteve të specializuara të FSK-së, për të larguar ujin në zonat ku është e nevojshme.
Në këtë bisedë, gjithashtu u shpreh gatishmëria e dyanshme, që në kuadër të bashkëpunimit të dy qeverive, të kontribuohet maksimalisht në evitimin e pasojave që vijnë nga fatkeqësitë natyrore./k.s/