PRISHTINË,  26 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Ekspozita e pikturave të grave përfituese të organizatës "Medica Kosova" sjell rrëfimet e heshtura të të mbijetuarave të krimeve më mizore, të dhunës seksuale gjatë luftës, mëton të tregojë dhimbjen e kurajën dhe, mbi të gjitha, thirrjen e tyre për të njohur njëkohësisht vuajtjen dhe të drejtën për të jetuar, tha sot në hapje, në Prishtinë, Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
"Është e dhimbshme përballja jonë me vuajtjet e të pathënat e këtij krimi mizor të luftës, që la pas jetë të shkatërruara, shpirtra të thyer dhe thirrje të pandërprera për drejtësi. Për 15 vjet nuk kemi arritur të kuptojmë dhimbjen e këtyre grave, të këtyre vajzave, ta kuptojmë se heshtja jonë për vuajtjet e tyre ka qenë dhe është padrejtësi për to dhe se njohja e dhimbjes së tyre është e drejtë njerëzore", u shprej ajo. 
"Ashtu siç e dëshmojnë qartë edhe këto piktura, nuk ka ndarje mes nesh dhe atyre - dhimbja e tyre është dhimbje e secilit prej nesh dhe përballja e shoqërisë sonë me këtë plagë të rëndë lufte, është obligim yni që respekton dinjitetin e tyre njerëzor", shtoi Jahjaga.
Sot, vijoi ajo, në të gjithë botën po shënohet dita ndërkombëtare për të mbështetur viktimat e torturës, prandaj ju inkurajoj që të gjithë së bashku të shohim forcën, ta dëgjojmë zërin e kurajës dhe shpresën që këto gra na përcjellin me anë të këtyre veprave të artit.
 "Dhe me këto mesazhe t'ju themi atyre se ato nuk janë vetëm. Heshtja është thyer dhe ne do të sigurohemi që zëri i tyre të mos ndrydhet më. Ne nuk mund t'ua ndryshojmë të kaluarën, por do të punojmë që e ardhmja të mos përcaktohet nga kjo e kaluar", theksoi Jahjaga./a.g/