Kosovë- Seanca konstituive e Kuvendit nesër ne oren 10:00 dy muaj pas nisjes

PRISHTINË, 17 Shtator /ATSH-Behlul Jashari/ -Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e Legjislaturës së pestë, të zgjedhjeve të 8 qershorit, e nisur në 17 korrik, vazhdon pas dy muajsh - nesër duke nisur nga ora 10:00, me të vetmen pikë të rendit të ditës "Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit", sikur që ishte parlajmaruar për 12 shtator, por ishte shtyrë.
Shtyrja e kërkuar nga Lista Serbe u bë në 11 shtator, pas një takimi konsultativ të kryesueses së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, me nëntë subjekte politike të Kuvendit të Kosovës (PDK dhe tetë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë).
Një nga zhvillimet e sotme para seancës së nesërme ishte takimi përgatitor i liderëve të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që së bashku kanë 63 deputetetë në Kuvendin 120 anëtarësh. Por, nesër në Kuvendin e Kosovës mund të mungojë lideri i Nismës, deputeti Fatmir Limaj, për shkak se në Gjykatën e Apelit vazhdon seanca për rastin "Kleçka", në të njëjtën orë.
Koalicioni parazgjedhor i PDK-së me 37 deputetë duket se mund ta ketë një më pak pasi Gëzim Kelmendi i Partisë së Drejtësisë ka paralajmëruar largimin nga ky grup parlamentar. Mbetet të shihet, pas deklaratave të ndryshme, nga do të shkojë përkrahja e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë - 9 të Listës Serbe. Kjo listë është deklaruar kundër koalicionit me Vetëvendosjen.
PDK ka vendosur që kandidat i saj dhe koalicionit parazgjedhorj për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jetë Arsim Bajrami, si kandidaturë e vetme.
Kandidati i koalicionit paszgjedhor vazhdon të jetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, zgjedhja e të cilit në 17 korrik me 65 vota pro dhe 18 abstenime është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Në seancën konstituive të Kuvendit në 17 korrik koalicioni parazgjedhor i PDK për Kryeparlamentar propozoi një kandidat tjetër, Agim Aliun, ish-kryetarin e komunës së Ferizajt, por nuk u arrit të votohej në mungesë kuorumi.
Mungesa e kuorumit u shkaktua kur deputetët e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, të Vetëvendosjes, etj, dolën nga salla e seancës pasi kryesuesja po nxirrte në votim kandidatin e propozuar nga PDK, Aliun.
Në mungesë kuorumi, kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja më e vjetër Flora Brovina, nga PDK, ndërpreu seancën, pasi konstatoi se "nga 120 deputetë, 47 janë të pranishëm".
Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të publikuar në 26 gusht, zhvillimet e seancës deri në përmbyllje nga kryesuesja, të pjesës ku deputetët kishin dhënë betimin pasi kishin miratuar Raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, të cilin fillimisht e kishin zgjedhur, me 117 vota pro, nuk janë anuluar, ndërsa janë anuluar vetëm zhvillimet e pas kthimit në sallë të 83 deputetëve, të cilët zgjodhën Kryeparlamentar kandidatin e koalicionit paszgjedhor.
Sipas medias në Prishtinë, koalicioni paszgjedhor ka një plan se "si ta evitojnë përsëritjen e skenarit të seancës së 17 korrikut, por edhe t'ia pamundësojnë PDK-së zgjedhjen e Kryeparlamentarit". Por, pas takimit të LDK-AAK-Nisma me VV-në sot nuk është treguar ky plan, ndërsa u tha se do shihet nesër. /gj.m//a.ke/
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen