Kosovë/ Sektori privat 'i diskriminuar' nga ndihma e shtetit

Kosovë/ Sektori privat 'i diskriminuar' nga ndihma e shtetit

Foto ilustruese

Të punësuarit në sektorin privat ndihen të diskriminuar nga shteti pasi nuk u është ndarë ndihma prej 50 eurosh nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit. Të punësuarit në sektorin privat ndihen të diskriminuar nga shteti pasi nuk u është ndarë ndihma prej 50 eurosh nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit.

“Nuk e ndiejmë që jemi shtetas të Republikës së Kosovës. Shteti po na diskriminon”, thotë Hysni Gashi, i punësuar në një kompani pastrimi në sektorin privat.

Gashi, sikurse të punësuarit tjerë në këtë sektor, nuk ka marrë ndihmën prej 50 eurosh, të ndarë nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit.

Qeveria ka ndarë ndihma të ngjashme katër herë nga shtatori i vitit të kaluar, por vetëm për punonjësit e sektorit publik.

“Kjo është e padrejtë. Inflacioni na ka prekur edhe neve. Tatimin në pagë e paguajmë njëjtë si unë që punoj në sektorin privat, si ata që marrin pagë nga buxheti i shtetit”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare vjetore të inflacionit 11.6 për qind, krahasuar me 3.1 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

Rritja e çmimeve ka nisur në fakt nga viti 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit. Gashi thotë se në kompaninë ku punon tash e 16 vjet, paguhet rreth 300 euro në muaj dhe se nga kjo pagë varet gati e gjithë familja e tij 4-anëtarëshe.

“Nuk janë vetëm çmimet e rritura që nuk po i përballojmë, është edhe qiraja, uji, rryma. Po e kemi problem t’ia dalim. Kam pasur nevojë jo vetëm për 50 euro, por edhe për më shumë”, thotë ai.

Nga pakot mbështetëse të Qeverisë së Kosovës, punëtorët e sektorit privat me pagë mujore nën 1.000 euro kanë marrë në maj të vitit të kaluar nga 100 euro. Paga mesatare në Kosovë, vitin e kaluar, ka qenë rreth 480 euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar në muajin dhjetor një raport për kushtet e jetesës në vitin 2020, në të cilin është konstatuar se 52 për qind e ekonomive familjare kanë pasur vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme, ndërsa 57 për qind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të mbulojnë me mjete vetanake një shpenzim të papritur prej 100 eurosh. Për shkak të rritjes së inflacionit, këto shifra tani mund të jenë edhe më të larta.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, thotë se vendimi i Qeverisë për t'i ndihmuar vetëm të punësuarit në sektorin publik është i padrejtë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se sindikata ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria që të ndihmohen edhe të punësuarit në sektorin privat, por se nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Inflacioni ka prekur më shumë të punësuarit në sektorin privat, pasi që pagat janë më të ulëta. Në sektorin privat, punëtorët vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Janë në situatë të vështirë e të diskriminuar nga shteti”, thotë Azemi.

“Po blej më pak e më lirë”

Vlera e pagës minimale në Kosovë, që sillet nga 130 deri në 170 euro, nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat. Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së saj është miratuar në lexim të parë në qershor të vitit të kaluar dhe, nga ajo kohë, nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër. Në shtator të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka nisur të ndajë ndihma prej 50 eurosh për punëtorët në sektorin publik, ajo ka miratuar edhe një pako mbështetëse për bizneset që u rrisin pagat punëtorëve.

Qeveria ka thënë se do të subvenciononte 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët - maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. Por, tash për tash, nuk ka të dhëna se sa punëtorë të sektorit privat mund të kenë përfituar nga kjo pako. Më shumë inspektorë për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit të punës

Ministri i Financave, Pumës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha në një konferencë për media më 27 janar se punëtorëve në sektorin publik u është ofruar ndihmë, sepse punëdhënës e kanë shtetin. Nisur nga kjo, sipas tij, edhe punëtorët në sektorin privat duhet të ndihmohen nga punëdhënësi.

“Kam bërë thirrje që punëdhënësit t’i rrisin pagat [e punëtorëve], sepse ka mundësi dhe ne do ta mbështesim këdo që rrit pagat”, tha Murati.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në sektorin privat ka pasur lëvizje të pagave, sipas mundësive që kompanitë kanë pasur.

“Diku më shumë e diku më pak. Por, Qeveria është dashur ta ndihmojë edhe më shumë sektorin privat që të rriten pagat deri në normën e inflacionit”, ka thënë Rafuna.

Punëtorët e sektorit privat: Orar i stërzgjatur me pak pushim

Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro. Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.

Muajve të fundit, sektori privat është përballur vazhdimisht edhe me mungesa punëtorësh dhe shumë prej ankesave që kanë raportuar ata në Inspektoratin e Punës, kanë pasur të bëjnë me pagat e ulëta, me orar të stërzgjatur të punës, me mohim të pushimit vjetor e të tjera./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia