PRISHTINË,  28 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festuan Vidovdanin,  të mbledhur sot në mesditë në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 625 vjetorin e Betejës së Kosovës. Në festimet në Gazimestan, si edhe në Graçanicë, afër kryeqytetit kosovar, mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç.
Në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur. Për festimet e ditës së sotme, Policia e Kosovës kishte marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, përfshirë përcjelljen e serbëve nga veriu i Mitrovicës drejt Gazimestanit.
Policia e Kosovës bën të ditur se, në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2.000-2.500 pelegrinë, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, në festën serbe me karakter religjioz të Vidovdanit.
Në orët e paradites ka filluar manifestimi në afërsi të Manastirit në Graçanicë, ku ishin një numër kryesisht i vogël i  pjesëmarrësve, të cilët më pastaj kanë vazhduar drejt Gazimestanit.
Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë, duke përfshirë edhe njësitet policore të trafikut të Prishtinës, të cilat kanë mundësuar qarkullimin e trafikut duke ri-drejtuar automjetet edhe në rrugë alternative.
Ndërsa rreth orës 12:00, ka filluar manifestimi tek monumenti i Gazimestanit, ku kanë marrë pjesë rreth 2.000-2.500 pelegrinë, personalitete të ndryshme, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, me delegacionin përcjellës.
Policia bën të ditur edhe se, gjatë tubimit në Gazimestan, ndaj presidentit të Serbisë Nikoliç disa persona kanë adresuar shprehje të ndryshme, mirëpopa ndonjë incident, dhe më pastaj delegacioni ka vazhduar në drejtim të Graçanicës nën përcjellje policore.
Lidhur me manifestimet e sotme religjioze të festës së Vidovdanit, Policia e Kosovës paraprakisht kishte përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë në shkallë vendi.
Para 25 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës - Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.