Kosovë, shkallë e lartë e ngacmimeve seksuale në vendin e punës

Kosovë, shkallë e lartë e ngacmimeve seksuale në vendin e punës

Prishtina, Kosovë

Askush nuk ka të dhëna të sakta për shkallën e ngacmimeve seksuale në Kosovë, por në një përmbledhje vlerësimesh nga zyra për Qeverisje të Mirë që vepron në kuadër të zyrës së kryeministrit, thuhet se mbi 48 për qind e qytetarëve në Kosovë kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual në vendin e punës përgjatë jetës së tyre. Shumica prej tyre apo mbi 64 për qind, janë gra.

Këto të dhëna janë pjesë e udhëzuesit për zbatimin e Politikës Kundër Ngacmimeve Seksuale në administratën publike, që u publikua të hënën nga Zyra për Qeverisje të Mirë.

Shefi i kësaj zyreje, Habit Hajredini tha se udhëzuesi është pjesë veprimtarive me të cilat synohet ngritja e shkallës së ndërgjegjësimit të institucioneve qendrore e lokale rreth zbatimit të Politikës Kundër Ngacmimit Seksual, e miratuar nga qeveria në vitin 2020.

“Për të informuar, ndërgjegjësuar institucionet në nivel qendror dhe lokal dhe natyrisht këtë do ta bëjmë me partnerët tanë, me shoqërinë civile. Gjithashtu është detyrim pas politikës që të punohet në ngritjen e kapaciteteve me trajnime të ndryshme të zyrtarëve përgjegjës e në të njëjtën kohë që të krijohen struktura apo mekanizma të përshtatshëm që do të merren me parandalimin dhe luftimin e ngacmimit seksual në administratën publike”, tha zoti Hajredini.

Udhëzuesi tregon se takimet me zyrtarë të komunave në të gjitha rajonet e Kosovës kanë dëshmuar për mungesë të njohurive mbi Politikën Kundër Ngacmimit Seksual si dhe përpjekje të pamjaftueshme për ta zbatuar atë.

Mark Lasser, shef i seksionit për ligj dhe drejtësi në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me mbështetjen e së cilës është hartuar udhëzuesi, tërhoqi vërejtjen te shkalla e ulët e raportimit të ngacmimeve seksuale.

“Kjo nuk do të thotë që nuk ka raste të ngacmimit seksual, kjo nënkupton që ose njerëzit nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë dukuri ose të shqetësuar nga hakmarrje si humbja e vendit të tyre të punës, vendosin të mos raportojnë ngacmimin seksual”, tha ai.

Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore tha se ngacmimi seksual në Kosovë ndërlidhet me rolet hierarkike në institucione.

“Ngacmuesit në vendin e punës zakonisht mbajnë poste të larta në Kosovë dhe e përdorin autoritetin për vendimmarrje mbi aspekte që kanë ndikim të rëndësishëm në karrierën e të punësuarve, ose dëshirojnë të ushtrojnë kontroll dhe pushtet ndaj viktimës. Në anën tjetër viktimat në Kosovë janë tipike pa pushtet, pa vendimmarrje, të cenueshme e të pasigurta dhe në pozita të ulëta, shpesh herë pa kontrata të punës”, tha ajo.

Zonja Demolli theksoi se udhëzuesi i publikuar sot do të ndihmojë trajtimin e kësaj dukurie edhe në sektorin privat, ku është mjaft e përhapur.

Sipas një studimi të publikuar këtë vit nga Qendra e Kosovës për Studimore Gjinore, 64 për qind e grave të punësuara në sektorin privat në vend besojnë se ngacmimi seksual është dukuri e pranishme në këtë sektor, por vetëm 10 për qind e tyre thonë të kenë përjetuar këtë lloj ngacmimi.

Studimi tregon se në mbi 65 për qind të rasteve mosraportimi ndodh për shkak të frikës nga pasojat negative në familje dhe frika për humbjen e vendit të punës./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Po tentonin të kalonin me gomone nga Franca në Angli, mbyten tre emigrantë

Po tentonin të kalonin me gomone nga Franca në Angli, mbyten tre emigrantë