PRISHTINË, 28 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të patrullojnë së bashku në rrugët e Shqipërisë me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë qytetarët gjatë sezonit turistik.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua sot në qytetin e Prizrenit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Artan Didi.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi për patrullim të përbashkët në rrugët e Shqipërisë do të zbatohet gjatë sezonit veror, mga 1 korriku deri në 31 gusht të këtij viti, sikurse edhe vitet e mëhershme.
Bazuar në vlerësimet e dyanshme, bashkëpunimi në mes të dy organizatave policore Shqipëri-Kosovë në këtë drejtim ka rezultuar si shumë i suksesshëm, duke ndikuar në krijimin e një sigurie më të lartë në komunikacionin rrugor.
Në takimin e mbajtur në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, të dy drejtorët kanë diskutuar edhe për ngritjen e bashkëpunimit edhe në fushat tjera, me qëllim koordinimin e veprimeve në funksion të parandalimit të kriminalitetit në nivel të dy vendeve./i.v/./a.g/











