Kosovë-shtypi: Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje

/ATSH/.-"Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje", paralajmëron sot në një kryetitull shtypi në Prishtinë për zhvillimet e fundit në Kuvend dhe jashtë tij, me bllokime dhe protesta nga opozita, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Pas skenave të dhunshme brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit fundjavën e kaluar, mes të cilave shumica parlamentare megjithatë ia doli ta miratojë ligjin për shëndetin mendor, kuvendi do të pushojë për disa ditë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo do të bëhet me qëllim që të reflektohet mbi situatën dhe provohet gjetja e një zgjidhje. Mbajtja e seancave nën masa policore dhe jashtë sallës së seancave plenare nuk po shihen si zgjidhje, as nga ndërkombëtarët, të cilat mund t'i kontribuojnë funksionimit normal të institucioneve.
Gazeta bën të ditur se qysh këtë fillim javë përfaqësues të vendeve të QUINT-it do të zhvillojnë takime me kryeministrin Isa Mustafa për të parë nëse Qeveria ka ndonjë plan në lidhje me kërkesat e opozitës. Të dielën, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, në lidhje me këtë çështje dhe nëse do të ketë ndonjë iniciativë nga Qeveria për të diskutuar rreth kërkesave të opozitës. Deri më tani, përveç mungesës së propozimeve, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi edhe kanë mohuar se vendi gjendet në krizë institucionale, shkruan gazeta.
"Thirrja e seancës, ftesë për kaos", është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila paralajmëron se partitë në koalicion prapë do të thërrasin seancë javën që vjen, se opozita këmbëngul në bllokadë dhe se pritet sërish tensionim i situatës.
Gazeta shkruan se pozita dhe opozita, e kanë ndarë mendjen. Ato nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre, seanca sërish thirret për javën tjetër edhe pse paralajmërohet se do të ketë sërish bllokim. Kjo situatë shihet si ftesë për kaos nga të dyja anët. Analistët thonë se Kuvendi i Kosovës nuk guxon edhe këtë javë të luajë me "zjarrin", duke thirrur seancë të re për aq kohë sa palët (maxhoranca dhe opozita) vazhdojnë të jenë të fortifikuara në "istikamet e tyre". Sipas tyre, në këtë situatë dramatike në të cilën është futur legjislativi duhet dhënë mundësinë presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, që të vazhdojë më dialogun e nisur me palët me qëllim që të gjetjes së një zgjidhjeje për tejkalimin e kizës. Analistët politikë konsiderojnë se vetëm përmes një dialogu mund të zhbllokohet Parlamenti.
Në anën tjetër, partitë e koalicionit janë të vendosura që t'i mbajnë seancat plenare, qoftë edhe në katin e katërt të Kuvendit, në salla të improvizuara, sikurse ndodhi javën e kaluar, siç thonë ata vetëm për të mos bllokuar proceset e Kosovës. Partitë në pushtet thonë se puna e legjislativit nuk mund të mbahet peng nga një grusht deputetësh, që dëshirojnë të vijnë dhunshëm në pushtet, shkruan gazeta.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e "përjashtuar".
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me "rrethime" të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta.
Para seancës së javës së kaluar të Kuvendit, Presidentja e Republikës i kishte ftuar "për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend", kishte takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës dhe kishte përpjekje që t'i takojë "përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët", por kjo nuk ndodhi.

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

'Më fal, nuk ia dola dot!' Policia gjen letrën e pedagogut amerikan në Tiranë që mbyti gruan e 2 qentë me litar e vari veten