PRISHTINË, 21 Shkurt/ATSH/.- Gjykata Speciale do të funksionojë krejtësisht paralel mekanizmave kosovare të drejtësisë. Kjo do të jetë evidente në organizim, strukturë e kompetenca, shkruan sot shtypi i Kosovës.
Sipas Koha Ditore, Projektligji për Specialen përmban edhe arkitekturën e organizimit të kësaj gjykate, emri zyrtar i të cilave është "Dhomat e specializuara". Do të përfshijë këto organe: Dhomën e Gjykatës Themelore, Dhomën e Gjykatës së Apelit dhe Dhomën e Gjykatës Supreme.
Do t'i ketë edhe zyrat e regjistrimit, që përfshijnë: Zyrën e mbrojtjes, Zyrën për pjesëmarrjen e viktimave, Zyrën për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, Njësinë e menaxhimit të paraburgimit dhe një Zyrë të Ombudspersonit.
Projektligji përshkruan edhe strukturën e Prokurorisë së specializuar, e cila do ta marrë mandatin dhe personelin e Task Forcës Hetimore Speciale (SIFT). Do të jetë zyrë e pavarur për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve brenda juridiksionit të dhomave të specializuara.
Dhe për të gjitha çështjet që referohen tek Gjykata Kushtetuese, të cilat ndërlidhen me dhomat e specializuara apo Prokurorinë e specializuar, Kushtetuesja do të mblidhet dhe do t'i shqyrtojë ato çështje, por "në përbërje të vetëm tre gjyqtarëve të saj ndërkombëtarë".
Sipas gazetës Epoka e Re, avokati i njohur Tomë Gashi e ka vlerësuar shumë të dëmshëm dokumentin, që do ta jetësojë Gjykatën Speciale: "Projektligji për dhomat e specializuara dhe prokurorinë e specializuar".
Ai ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka të bëjë me ligjet e Republikës së Kosovës. "Kjo gjykatë nuk do t'i aplikojë as Kodin Penal dhe as atë të Procedurës Penale të Kosovës", është shprehur Gashi në një intervistë për gazetën, duke shtuar se kjo gjykatë e eliminon në tërësi sistemin e drejtësisë në Kosovë. "Sipas këtij draftligji, Gjykata Speciale në njëfarë forme do të jetë shtet më vete", është shprehur ai.
Gashi ka thënë se tashmë është e qartë se formimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalet, por ka kërkuar nga deputetët të mos e votojnë këtë projektligj për Gjykatën Speciale, por sipas tij duhet të insistojnë që kjo gjykatë të funksionojë sipas Kushtetutës, Kodit Penal, atij të Procedurës Penale dhe ligjeve të Kosovës.
Ndërsa, gazeta Zëri shkruan se themelimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës, ka ngjallur reagime nga partitë politike opozitare dhe ish-guerilët e UÇK-së, të cilët kanë paralajmëruar protesta kundër kësaj Gjykate. Ata kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë në Kuvend, draftin për funksionalizimin e saj. Sipas tyre, "kjo Gjykatë, e poshtëron popullin e Kosovës dhe e ofendon UÇK-në"./b.j/