- Presidentja Atifete Jahjaga priti Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin -
PRISHTINË, 23 Shkurt/ATSH/.-Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, gjatë takimit sot me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, shprehu përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet dhe qytetarët e Kosovës në të gjitha fushat me interes dypalësh, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
"Suedia është përkrahëse e politikës së zgjerimit të BE-së dhe mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai theksoi se migrimi ilegal ka vështirësuar këtë proces, por gjithashtu tha se Kosova duhet të përmbushë të gjitha kriteret në kuadër të këtij dialogu", theksoi Ahlin.
Jahjaga e falënderoi Ahlin për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Suedisë i ka dhënë Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe për proceset e integrimit në strukturat euroatlantike.
Presidentja Jahjaga theksoi se "prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik i vendit".
Ajo nënvizoi se përkundër sfidave, Kosova sot është promotore e paqes dhe e stabilitetit në rajon, dhe ky është sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë.
Presidentja Jahjaga dhe Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë dhe ranë dakord se përveç arritjes së marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, është shumë i rëndësishëm angazhimi konkret për implementimin e tyre në praktikë./b.j/k.s/








