PRISHTINË -Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në takim shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad.
Në takim u bisedua për format e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe organizatës UNICEF, veçanërisht në aspektin e reformës shëndetësore dhe ndihmën që mund të ofrojë UNICEF-i në këtë drejtim.
Ministri Rrahmani, tha se është njohur për ndihmën e madhe të deritanishme të UNICEF-it, për shëndetësinë e Kosovës, me ç'rast shprehu falënderim dhe interesin që bashkëpunimi i deritashëm me këtë organizatë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ministri Rrahmani tha se "reforma e filluar në shëndetësi do të vazhdojë, por duke e monitoruar në detaje për të eliminuar elementet të cilat nuk përkojnë me avancimin e një sistemi të mirë shëndetësor".
"Ndër prioritetet kryesore në mandatin tim është sistemi i Sigurimeve Shëndetësore efikase dhe i barabartë për të gjithë banorët e Kosovës, ku pres një mbështetje dhe bashkëpunim nga të gjithë akterët që veprojnë në Kosovë, përfshi edhe organizatën UNICEF", tha ministri Rrahmani.
Omar Gad uroi ministrin Rrahmani për emërimin e tij, si ministër i Shëndetësisë, duke theksuar se misioni UNICEF-it në Kosovë, do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë, me projekte të ndryshme që kanë qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës./ATSH/