Katër persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas mediave në mesin e personave të arrestuar janë edhe ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj e cila dyshohet për shtytje në vrasjen e saj si dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj.
Ndërkohë për vrasjen akuzohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, ishte ndaluar për kanosje. Të dy ndodhen në paraburgim.Gjykata Themelore në Pejë i kishte caktuar Albertit masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Ajo dyshohet se u godit me sëpatë në kokë nga Albert Sylaj, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i krimit.
Rasti kishte ndodhur vetëm pak minuta pasi Arlinda ishte kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga një patrullë policore, pasi paraprakisht kishte raportuar dhunë në familje në Stacionin Policor në Pejë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personave të përfshirë po vazhdojnë.







Komente
Komento