PRISHTINË, 27 Janar/ATSH/.-Vetëvendosja kërkon nga kryeministri Isa Mustafa, heqjen e barrikadave përpara godinës së qeverisë kosovare.
Dardan Molliqaj, zyrtar i VV-së, duke folur para protestuesve tha se qëndrimi ynë është i qartë kërkojmë largimin e Jabllanoviçit,dhe kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike.
"Ata e kanë rrethuar me hekura qeverinë, sikur ne të ishim egërsira. Prandaj policia ka 15 minuta ultimatum për t'i hequr këta hekura", tha Molliqaj.
Kjo protestë sipas Molliqajt, do të jetë e qetë.
Ndërkohë që deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj - Bujupi, bëri thirrje sot për protestë të qetë.
Në një prononcim për KosovaPress, deputetja e AAK-së, Kadaj Bujupi akuzoi qeverinë dhe policinë që po i ndalon qytetarët që t'i bashkohen protestës.
"Kjo po na kujton atë kohën e vjetër kur baballarët tanë ecnin në këmbë me kilometra vetëm për në Trepçë. Kjo nuk duhet të ndodhë pas 15 vitesh", tha Donika Kadaj - Bujupi./KosovaPress/








