Kosovë-I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak takime me Presidentin Thaçi, Kryeministrin Hoti, Kryeparlamentaren Osmani

Kosovë-I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak takime me Presidentin Thaçi, Kryeministrin Hoti, Kryeparlamentaren Osmani

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se gjatë takimit që pati me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, e informoi atë për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, i cili duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë.

Ai tha që dialogu duhet të çojë te njohja reciproke dhe t’i hapë Kosovës perspektivën e integrimeve evropiane.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe për Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, por është e rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe për stabilitetin e tërësishëm të Bashkimit Evropian. Vendi ynë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi dhe i shfaqi para nesh, për përkushtimin e tij për këtë proces, në emër të 27 vendeve të BE-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se pret që së bashku me gjithë qeverinë sa më parë të angazhohet në këtë proces, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë dhe të mbyllet një kapitull i rëndësishëm ndërmjet dy vendeve dhe të sigurohet perspektiva euro-integruese.

“Unë i tregova dhe shfaqa gjithë interesimin dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces. Jemi përgatitur, e kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet, në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, theksoiHoti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:08
Miroslav Lajçak: Avancimi i Kosovës në rrugën evropiane, vetëm përmes BE-së

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi në Prishtinë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në takimin e 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë. Ai po ashtu tha se përparimi i Kosovës në rrugën evropian bëhet vetëm përmes BE-së.

Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar nga i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Lajçak tha se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ka qenë i vazhdueshëm, por ka vënë pikëpyetje nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Deri sot, nuk e di. Por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog, është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në”, tha Lajçak.
Ai shtoi se do të shkojë edhe në Beograd, për të biseduar me autoritetet e atjeshme, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për procesin e dialogut dhe të organizohet së shpejt një takim në Bruksel.
Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë takimit me Lajçakun, ia ka bërë të qartë pozicionin zyrtar të Kosovës, sa i përket dialogut.

“I konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak, është se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, ndërsa duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. E ardhmja e Kosovës është e sigurt vetëm duke qenë pjesë e perspektivës evropiane, konkrete. Natyrisht që në këtë drejtim ne do të punojmë ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara që të lëvizim më shpejt, më mirë drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, të gjitha përpjekjet që çojnë drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, janë të mirëseardhura, duke shtuar se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së mund të sjellë të mira për Kosovën e Serbinë si dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane. Në fund të fundit, për ne është me rëndësi jetike – besoj që edhe do të ndodhë – që edhe SHBA-ja dhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë, për Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi.

Ora 20:03
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani: Vetëm qeveria e përfaqëson vendin në dialogun me Serbinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se në dialogun me Serbinë, vetëm qeveria mund ta përfaqësojë vendin.

Këto komente ajo i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

"Natyrisht që në emër të Kuvendit të Kosovës, shpreha gatishmërinë tonë që si kuvend të luajmë një rol sa më të fuqishëm mbikëqyrës mbi qeverinë e cila është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Potencova sërish që presim që ky dialog të jetë mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim në qoftë se përfundon me njohje të ndërsjellë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të diskutohet për territorin e Kosovës, sovranitetin dhe rendin e brendshëm kushtetues të Kosovës, pasi sipas saj, ky proces do të sillte rezultate të pazbatueshme në terren.

Ndërkaq, Lajçak tha se ka njoftuar Osmanin për planet që ka BE-ja për dialogun.

“Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe u pajtuam që ky proces të jetë transparent”, u shpreh Lajçak.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kosovari: 17/06/2020 09:24

    Shqiptaret kane qene dhe jane evropjan,Kane kulture e fomim shpirteror evropjan.Por, Evropa ne te kaluaren, nuk eshte deshmuar fort miqesore per kete popull nder me te vjeterit te ketij kontinenti.Lindja e saj, ajo osmane dhe ajo sllave, ishte fatale, qe i sollen shume demtime materiale e shpirterore popullit dhe hapesires shqiptare.Fatkeqesisht ne keto momente percaktuese historike, caktohen peronalitete drejtuese te bisedimeve shqiptare-srbe, te deshmuar edhe me heret, per kundershtar te shqiptareve dhe shtetimt te Kosoves,sic eshte Lajcak i cili keto dy dite gjendet ne Kosove.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen