Dy partitë opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë dorëzuar këtë të mërkurë kallëzime penale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar se po merr vendime në kundërshtim me ligjin.
Specifikisht. AAK kundërshton 17 vendime të marra nga ekzekutivi më 12 gusht, ndërsa PDK pretendon se ministrat kanë vijuar të ushtrojnë njëkohësisht funksionet e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë. Vendimet në fjalë kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se, sipas vlerësimit të juristëve të AAK-së, këto vendime bien ndesh me Ligjin për Qeverinë.
“Kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht për kryeministrin në detyrë për shkak se me datën 12 gusht të këtij viti ata kanë marrë disa vendime të cilat në vlerësimin tonë dhe juristëve tanë që e përfaqësojnë këtë lëndë bie ndesh me ligjin dhe të gjitha rregulloret që mund t’i ketë një qeveri. E ka të ndaluar me ligjin për Qeverinë të marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime që janë marrë në mbledhjen e Qeverisë, për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërore në agjencione qeveritare dhe në një rast në përzgjedhjen e një sekretari të përhershëm”, deklaroi Tahiri.
Pas AAK-së, edhe PDK dorëzoi kallëzim penal ndaj Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë në detyrë. Sipas PDK-së, kryeministri dhe ministrat që janë certifikuar dhe betuar si deputetë të Legjislaturës XI kanë vazhduar të ushtrojnë njëkohësisht edhe funksionet ekzekutive, diçka që sipas tyre përbën dyshim për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.
PDK-ja pretendon se të kallëzuarit, edhe pas 6 korrikut 2026, kanë vazhduar të marrin vendime si Qeveri në detyrë, ndonëse, sipas saj, funksionet e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë janë të papajtueshme.
Në akuzën e saj, PDK i rikthehet mbledhjes së Qeverisë në 12 gusht, në të cilën, sipas PDK-së, janë marrë 24 vendime. Partia pretendon se disa prej tyre kanë pasur pasoja financiare, përfshirë ndarjen e 100 mijë eurove, dhënien me qira të pronës publike në vlerë prej 23 mijë e 205 eurosh dhe inicimin e dy procedurave të shpronësimit.
Kallëzimet vijnë në një kohë kur Kosova vijon të përballet me ngërç institucional. PDK dhe AAK kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht dhe u ndërpre për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike. Kriza u krijua pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa institucionet ende nuk kanë arritur të zhbllokojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.








Komente
Komento