Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pushuar ankimimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte lënë në detyrë gjyqtaren e Korçës, Sonjela Voskopi.

Ky vendim ka bërë që konfirmimi i saj në detyrë të mbetet në fuqi. Vendimi u mor me shumicë votash, pasi drejtuesi i SPAK kërkoi në përfundim të gjykimit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të Voskopit.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare të mërkurën, prokurori Adnan Xholi i cili përfaqësoi drejtuesin e SPAK në këtë çështje, konstatoi se nga verifikimet e kryera në kuadër të vlerësimit të figurës së gjyqtares në fjalë, nuk janë gjetur probleme.

Po ashtu gjetjet e tjera në aspektin profesional dhe për pasurinë, u vlerësuan nga drejtuesi i SPAK, të pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 34/2024, datë 06.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 768, datë 31.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sonjela Voskopi.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në pikën 6 të nenit 4 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në shkronjën “b” të nenit 451 dhe nenin 463 të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, vendosi:

Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 34/2024, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit  nr. 768, datë 31.05.2024,  të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Sonjela Voskopi.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 05.02.2026, në Tiranë.