Tiranë- Vettingu i KPA-së prish vendimin e shkallës së parë të KPK dhe rikthen në detyrë një tjetër magjistrate.
Prokuroria e Fierit, Violeta Shkurta u shkarkua në vitin 2022 për shkak të problemeve me pasurinë e saj, por pas ballafaqimit me ankimim Shkurta ka arritur që ta përmbysë barrën e provës.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtare, shpalli sot (17 mars) vendimin për çështjen nr. 22/2022, datë 09.05.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Violeta Shkurta kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 514, datë 28.02.2022.

"Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 514, datë 28.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Violeta Shkurta. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, më datë 13.03.2025", thuhet në vendimin e KPA-së.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, e shpalli më 28 shkurt 2022 vendimin e shkarkimit të Shkurtës. Komisioni konstatoi "pamundësi financiare për krijimin e pasurive, si dhe vlerësoi të padrejtë përfitimin e një kredie të butë".
Prokurorja Shkurta i kundërshtoi konstatimet e KPK-së për këtë kriter dhe deklaroi se pasuritë e saj janë krijuar me burime të ligjshme.
Pas riçeljes së hetimit në të tre kriteret, prokurorja Shkurta mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe dha shpjegime për gjetjet në kriterin profesional.
Violeta Shkurta e ka nisur karrierën si oficere e policisë gjyqësore në vitin 1989 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2019, Shkurta u promovua si drejtuese e përkohshme e Prokurorisë së Fierit.
A.Q/Shqiptarja.comKomente

