Krasniqi: Integrimi i Kosovës kërkon
lidership të fortë në vendimmarrje

Krasniqi: Integrimi i Kosovës kërkon<br />lidership të fortë në vendimmarrje
BUDAPEST - Kryeparlamentari  i Kosovës, Jakup Krasniqi po merr pjesë në Konferencën e gjashtë të kryetarëve të parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në kryeqytetin hungarez, Budapest. Në fjalën e tij para homologëve ai tha se krahasuar me dy vjet më parë në Kosovë kanë ndodhur shumë ndryshime progresive dhe janë bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian.

Kjo konferencë, që tashmë është shndërruar në takim tradicional, organizohet nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, përkatësisht nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, László Kövér. Në këtë konferencë po marrin pjesë të gjithë kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta me përjashtim të Malit të Zi, i cili po përfaqësohet nga një nënkryetar i Parlamentit.

Në seancën e paradites, gjatë diskutimeve lidhur me temën “Integrimi në Bashkimin Evropian: rezultatet dhe aspiratat”, pjesëmarrësit vlerësuan lart punën dhe angazhimin e të gjitha vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian. U potencua nevoja për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh në rajon, si dhe e shkëmbimit të mëtejshëm të përvojave, si mundësi e mirë në rrugën e integrimit evropian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para homologëve nga rajoni tha se interesi ynë i përbashkët është integrimi rajonal në Bashkimin Evropian. Prej këtu rezulton edhe nevoja e një bashkëpunimi e koordinimi për të shkurtuar rrugën drejt këtij qëllimi madhor. Në qoftë se do të këmbejmë përvojat tona të mira, në qoftë se do ta mbështesim njëri-tjetrin, integrimi ynë evropian do të jetë më i suksesshëm dhe më i afërt.

Republika e Kosovës është tërësisht e përkushtuar për zbatimin e axhendës evropiane. Nga Konferenca e kaluar këtu në Budapest, dy vjet më parë, në vendin tim kanë ndodhur shumë ndryshime përparimi dhe janë bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Rruga e kaluar deri tani dhe perspektiva e veprimeve të ardhshme janë përcaktuar nga tre faktorë bazë: vullneti i gjerë qytetar për Kosovën evropiane, angazhimi i fuqishëm institucional dhe përkrahja e Bashkimit Evropian për të shtyrë përpara proceset integruese në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë, në veçanti.

Qeveria jonë ka vite që zbaton Planin e Veprimit për Zbatimin e Partneritetit Evropian, i cili pasurohet në vijimësi, sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian në raportet vjetore të progresit.  Ajo ka miratuar edhe Planin për Integrim Evropian dhe ka ngritur një varg mekanizmash implementimi të niveleve të ndryshme. Kuvendi i Kosovës ka një Komision të veçantë për integrime evropiane, i cili ka përgatitur Strategjinë e integrimit dhe koordinon veprimet e zbatimit të saj.

Në Presidencën e Kosovës, ndërkaq është themeluar Këshilli Nacional për Integrim Evropian, i cili i kontribuon  koordinimit politik të institucioneve qendrore të shtetit, komunave, partive politike, shoqërisë civile, institucioneve akademike, komunitetit të biznesit etj.

Në tetor të vitit 2012 Komisioni Evropian ka publikuar Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Dokumenti përshkruan progresin që Kosova ka arritur në tre vitet e fundit, kurse Komisioni dhe Këshilli Evropian para pak muajsh kanë vlerësuar se Kosova është e gatshme për të filluar negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian. Pritet që kjo Marrëveshje të arrihet në pranverën e vitit të ardhshëm, për t’u hapur rruga e aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit.

Në kuadër të këtyre proceseve integruese është edhe dialogu i gjatë dhe i vështirë midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe baronesha Ashton. Janë arritur një varg marrëveshjesh, të cilat synojnë normalizimin e raporteve midis këtyre dy vendeve. Dialogu dhe marrëveshjet janë mënyra më e mirë, madje e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura bilaterale, për normalizimin e marrëdhënieve dhe për stabilizimin e rajonit tonë, të trazuar në shekuj. Ky proces është në funksion të integrimit evropian dhe një kusht sine qua non, që presupozon zgjidhjen e të gjitha kontesteve midis vendeve dhe popujve aspirues, para aderimit në BE dhe për më tepër që zgjidhja të bëhet në frymën e filozofisë politike dhe parimeve evropiane, me mjete paqësore dhe në mirëkuptim, drejtësi e respekt të ndërsjellë.

Në këtë frymë dhe sipas këtyre parimeve ne e kemi kuptuar dialogun me Serbinë, një dialog të sinqertë, me dobi të përbashkët, që i kontribuon vendosjes së marrëdhënieve normale midis dy vendeve dhe popujve tanë, bashkëpunimit dhe marrëveshjeve, pa dëmtuar njëri-tjetrin. Vetëm marrëveshjet e drejta e qëllimmira mund të jenë të qëndrueshme dhe në të mirë, jo vetëm të vendeve që i arrijnë ato, por edhe të stabilitetit e paqes në rajonin e kontinentin tonë.

Ne i gëzohemi përparimit të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit, sepse vetëm integrimi i të gjitha këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, sjell stabilitetin e plotë të rajonit, bashkëpunimin e mirëfilltë dhe paqen e zhvillimin e gjithëmbarshëm.

Rruga drejt Bashkimit Evropian kalon nëpërmjet reformave të gjithanshme. Ato shpeshherë janë të vështira dhe me dhembje, prandaj kërkojnë lidership të fortë dhe guxim në vendimmarrje, sepse efektet imediate të tyre mund të dëmtojnë interesat efemere, kurse dobia është në hapat vijues, në afat më të gjatë dhe përtej mandateve aktuale të qeverive në pushtet. Proceset integruese janë më shumë interes i së ardhmes se sa i të sotmes emergjente. Ne duhet të kemi vizionin, vullnetin, qëllimin dhe vendosmërinë të shikojmë më larg në të ardhmen tonë më të mirë e të përbashkët.

"Uroj që kjo Konferencë e radhës t’i shërbejë përparimit tonë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, forcimit të paqes dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm rajonal", përfundoi fjalën e tij kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Marrë nga "Koha Ditore", Kosovë

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore