Krasniqi: Nëse pengohet reforma BE-
SHBA nxjerrin dosjet e korrupsionit

Krasniqi: Nëse pengohet reforma BE-<br />SHBA nxjerrin dosjet e korrupsionit
"SHBA kanë të gjitha dosjet e korrupsionit në Shqipëri dhe unë nuk e quaj fyerje nëse SHBA publikon këto kopje, siç kanë bërë në Bjellorusi apo dhe në vende të tjera si Gjeorgji". Kështu shprehet politologu i njohur, Afrim Krasniqi, duke iu referuar qëndrimeve të klasës politike ndaj reformës në drejtësi.

I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv, Krasniqi tha se shpresa e vetme për të votuar reformën në drejtësi janë BE e SHBA.

Nëse bllokohet reforma, la të kuptohej ai, SHBA dhe BE do të publikojnë dosjet e korrupsionit për politikanët siç kanë bërë në Bjellorusi apo dhe në Gjeorgji.

"Shpresa jonë e vetme për miratimin e reformës është presioni amerikan. Nëse zv/presidenti amerikan, Joe Biden, vjen në Tiranë. Apo vizita e Victoria Nuland, janë në këtë funksion. Perëndimi ka pranuar se SHBA do të ketë rolin kryesor në reformën në drejtësi dhe ky nuk është një investim për të lënë një reformë të rëndësishme në dorën e disa aventurierëve politik. SHBA kanë të gjitha dosjet e korrupsionit në Shqipëri dhe unë nuk e quaj fyerje nëse SHBA publikon këto kopje, siç kanë bërë në Bjellorusi e Gjeorgji. Në Shqipëri nëse publikohet një listë e tillë, ata njerëz bëhen menjëherë pakicë", u shpreh Krasniqi. 

Ai kritikoi qasjen e PD ndaj reformës, duke theksuar se ka treguar mungesë serioziteti gjë që ka çuar edhe në cenimin e marrëdhënieve me SHBA. Sipas tij, PD vazhdon të paguajë çmimin e kalkulimeve të gabuara që prej zgjedhjeve të 2013-ës, për shkak të problemeve të brendshme. 

"Nuk mendoj se është raporti i PD me SHBA, aq më tepër me ambasadorin e SHBA. Është problemi i PD me veten e saj, problematikat e saj të brendshme serioze. Një opozitë që ka humbur zgjedhjet, duhet të tregojë seriozitet në paraqitjen e platformave të saj dhe perspektivën e zhvillimit. Në këtë lloj situate, opozita bëri krejt të kundërtën. Sepse vazhdon të paguajë çmimin e kalkulimeve të gabuara të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Preteksti, njëherë ambasadorja e BE, njëherë ambasadori i SHBA, e vërtetë është se kjo parti nuk po arrin të shikojë përtej vetvetes. Nëse PD shprehet sot se jam "pro" reformës në drejtësi, unë jam  i bindur se pala tjetër do të thotë që s'jam dakord për reformën në drejtësi. Ne patëm një zhvillim të paprecedentë në politikën shqiptare, kur pranuan vizitë në grupet parlamentare. NË PD, z.Basha dha garanci se e mirëpret vizitën ishte për të thënë se ne po vijmë për t'iu sqaruar dhe nga ky takim kërkojmë votën nominale për reformën në drejtësi. Kur ke rënë dakord dhe ndërron mendje pas një muaji, kjo është mungesë serioziteti. Ndaj, adresimi është në drejtim të kryetarit të PD. Pavarësisht se kush i merr vendimet në PD, z.Basha është kryetar i PD", u shpreh Krasniqi.

Ai theksoi se ka eksponentë brenda PD të cilët janë të gatshëm të votojnë reformën pasi identifikohen si pro amerikanë. "Reforma në drejtësi nuk mund të sigurohet përmes trafikut. Mund të ketë disa emra të opozitës të gatshëm për të votuar reformën. Ata nuk janë të shitur siç mund të etiketohen, por janë aleatë të SHBA. Ata nuk janë në vendin e gabuar, por në kohën e gabuar në PD", tha Krasniqi. 

Sa i takon votimit të reformës në drejtësi në 21 Korrik, Krasniqi shtoi se "vendimmarrja e 21 korrikut do të vendoset 24 orë përpara dhe do të vijë si rrjedhojë e një presioni të madh ndërkombëtar". "Presioni është i qartë, nëse votoni kundër është një pikë kritike për karrierën e liderëve politik", tha ai. 

I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme po dështoi miratimi i reformës në drejtësi, Krasniqi tha se "kjo ndodh vetëm nëse PS ka vendosur të mos i japë LSI-së Presidentin. Sipas tij, PS-LSI kanë nënshkruar marrëveshje në 2013-ë dhe sipas këtij pakti, Presidenti i takon LSI-së. "Në dijeninë time PS dhe LSI kanë rënë dakord në 2013-ën që presidentin ta ketë LSI.

Krasniqi tha se nuk e sheh Ilir Metën në krye të Shtetit, pasi sipas tij, ai pozicion është për dikë që kërkon t'i japë fund karrierës politike. "Kam përshtypjen që për shkak të natyrës së LSI, më shumë pretendimet i kanë në funksione ekzekutive, sesa president që është për të mbaruar karrierën politike", tha Krasniqi.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mjeku Alfred Aga në ‘Klinika 24’: Ju rrëfej pse zgjodha kirurgjinë ORL dhe vështirësitë për t’u bërë një mjek i mirë sot

Mjeku Alfred Aga në ‘Klinika 24’: Ju rrëfej pse zgjodha kirurgjinë ORL dhe vështirësitë për t’u bërë një mjek i mirë sot