Deri në 2 mijë kredi për blerje banese pa interes parashikon të financojë qeveria në vitin 2027, ndërsa një skemë e dytë do t’u mundësojë qytetarëve të marrin kredi deri në 200 mijë euro me interes 3%. Për të dyja skemat po diskutohet edhe mundësia e heqjes së detyrimit për parapagim.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilluan një takim konsultues me përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë për përcaktimin e kushteve të kreditimit.
Skema e parë parashikon kredi deri në 6 milionë lekë, me interes të subvencionuar plotësisht nga qeveria. Për këtë program është parashikuar një numër maksimal prej 2 mijë kredish. Po diskutohet gjithashtu përcaktimi i një norme të përbashkët interesi me bankat, për të shmangur procedurat e konkurrimit dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e sa më shumë bankave në skemë.
Skema e dytë parashikon kredi deri në 200 mijë euro, ose rreth 20 milionë lekë. Qytetarët do të paguajnë interes prej 3%, ndërsa diferenca me normën e interesit të përcaktuar nga bankat do të mbulohet nga qeveria.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara është mundësia që qytetarët të financojnë përmes kredisë të gjithë çmimin e banesës, pa qenë të detyruar të paguajnë paraprakisht një pjesë të tij. Për këtë po diskutohen ndryshime në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.
“Diskutuam gjithashtu mundësinë e eliminimit të detyrimit për parapagim, lehtësimin e kushteve të kolateralit dhe procedurave të kreditimit”, bëri të ditur Ibrahimaj.
Po shqyrtohet gjithashtu mundësia e përdorimit si kolateral të banesave që janë ende në ndërtim dhe nuk janë regjistruar, përmes ndryshimeve në legjislacionin e territorit.
Një tjetër propozim është që Banka Shqiptare e Zhvillimit të ofrojë garanci për diferencën mes çmimit të shitjes së banesës dhe vlerës që banka i njeh asaj gjatë procesit të kreditimit.
Kushtet përfundimtare të kreditimit dhe procedurat e aplikimit pritet të përcaktohen pas konsultimeve me bankat.







Komente
Komento