Kredia, Financat: Vështirë
të pranojmë kushtin e BB

Kredia, Financat: Vështirë<br />të pranojmë kushtin e BB
TIRANE- Pas bisedimeve në Tiranë të ekipit të Bankës Botërore lidhur me akordimin e nje kredie për vendet e kërcënuara nga kriza globale, ende nuk është disbursuar asnjë fond për qeverinë shqiptare. Banka Botërore ende nuk ka vendosur se sa do të jetë ndihma për Shqipërinë, në kuadër të masave antikrizë, kjo, pasi kredi të tilla janë me kushte.

Sipas burimeve nga ministria e Financave, qeveria shqiptare e ka shumë të vështirë të pranojë kushtin e vënë nga BB. Sikurse u tha më parë, kjo ka të bëjë me kërkesën e institucionit financiar ndërkombëtar për të ulur me çdo kusht deficitin buxhetor. Kjo nënkupton konkretisht kalimin e këtij deficiti, nga 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, në 2.5 për qind. Kjo kërkesë e Bankës do të thotë që të ulen shpenzimet buxhetore për 2012-n me rreth 6-7 miliardë lekë, ende pa nisur mirë viti financiar. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe parashikimi i rritjes ekonomike është në ulje, pra edhe të ardhurat nuk do të jenë sa ç’parashikohej.

Sipas zyrtarëve të Financave, “ekipi i Bankës Botërore qëndroi më shumë se një javë në zyrat tona. Pa nga afër bilancet, studiuan situatën makroekonomike, parashikimet e rritjes etj., dhe kanë ikur. Kurse ne po presim raportin e vëzhgimit, të shoqëruar me rekomandimet, kushtet dhe vlerën përkatëse të marrëveshjes. Në rast se biem dakord, atëherë do të firmoset paketa, vlera e së cilës nuk dihet ende”.
Për zyrtarët e ministrisë së Financave misioni i negocimit me Bankën Botërore nuk ka qenë i lehtë. Nën zë ata shprehin se kushtet e paraqitura janë të forta, e madje nuk përjashtohet mundësia e mosaprovimit. “Të ulësh deficitin buxhetor me 0.5 pikë përqindjeje brenda një kohe të shkurtër nuk është e lehtë dhe me pasoja për ne”, thotë një nga negociatorët e palës shqiptare.

Të realizosh planin e kërkuar duket e vështirë për qeverinë, e cila ka nisur një seri investimesh në infrastrukturë.Por, edhe të humbësh një rast të mirë, si një kredi me interes të butë 2%, në kohë krize, do të ishte një dështim, që do të çonte edhe më keq problemet buxhetore. Ministria e Financave parashikon të marrë rreth 41 miliardë lekë hua neto, që i bie 3 për qind e deficitit buxhetor, ku gati 19 miliardë lekë ka planifikuar t’i marrë te bankat private të nivelit të dytë në vend, kurse pjesa tjetër te bankat e zhvillimit, ku futen BERZH, BEI, apo dhe së fundmi BB-ja. Me dy institucionet e para, pala shqiptare ka siguruar paketa financimi për ndërtimin e rrugëve, me vlerë rreth 10 miliardë lekë.

Në rast se merret kredia, qeveria do ta ketë më të lehtë të menaxhojë situatën financiare, sidomos te bankat e nivelit të dytë, duke ulur presionin kreditues dhe duke i dhënë mundësi ekonomisë për financime. E gjithë shuma do të shkojë për mbështetje buxhetore, por jo për ndërtim rrugësh, sektor që BB e ka vendosur në plan të dytë, duke konsideruar prioritet shëndetësinë dhe arsimin.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm