Me gati 5 herë janë ulur kreditë me probleme brenda dekadës së fundit. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të shkuar huaja e keqe preku nivelin më të ulët historik.

Në total në bilancet e bankave vetëm 3.8% është hua me probleme, duke u ulur me 0.37% në raport me vitin 2024, kur kredia me probleme rezultonte 4.17%. Ndikim pozitiv me pagesat në kohë të kësteve të kredive ka dhënë edhe ulja e normave të interesit për të gjitha kreditë si në valutë ashtu edhe në monedhën kombëtare, pasi i ka bërë më të lira këstet, ndërkohë që edhe zhvlerësimi i valutave po ashtu ndikon pozitivisht në kthimin e kredive që janë marrë në monedhë të huaj.

KREDIA ME PROBLEME NË %
Dhjetor 2024      4.17%
Dhjetor 2025      3.80%
Diferenca           -0.37%

Por e përkthyer në vlerë në total në bilancet e bankave tregtare në vend janë 358 milionë euro kredi me probleme ose 10 milionë euro më shumë se në dhjetor të vitit 2024, kjo për shkak se është rritur totali i kredisë së dhënë për ekonominë.

KREDIA ME PROBLEME NË VLERË
Dhjetor 2024            348 mln euro
Dhjetor 2025            358 mln euro
Diferenca                 +10 mln euro

Deri në fund të vitit 2025, totali i huasë së dhënë nga bankat përllogaritet në 9.4 miliardë euro, nga 8.3 miliardë euro që ishte në fund të 2024-ës. Rritja e shpejtë e kredisë është nxitur nga kërkesa e lartë për hua si nga bizneset kryesisht për investime, por dhe nga qytetarët që vijojnë të shtojnë borxhet në banka për të blerë shtëpi.