Shqiptarët dhe bizneset po marrin më shumë kredi. Në vetëm një vit, kredia për ekonominë është rritur me 107.6 miliardë lekë, duke kaluar për herë të parë nivelin e 1 trilion lekëve.
Qytetarë po marrin gjithnjë e më shumë kredi për blerje banese por edhe për konsum, ndërsa bizneset për investime. Por bashkë me kredinë rriten edhe detyrimet që nuk shlyhen në kohë. Kreditë me probleme janë shtuar me 845 milionë lekë, duke arritur në rreth 36.9 miliardë lekë në fund të muajit korrik.
Por edhe pse kredia e klasifikuar me probleme, pra e pashlyer në kohë është në rritje në vlerë, në përqindje situata është pozitive. Banka e Shqipërisë thotë se në fund të korrikut niveli i kredisë së keqe preku vlerën më të ulët historike duke zbritur për herë të parë në 3.6%, ose 0.3% më pak se vjet.
Huaja e keqe është në rënie në përqindje për shkak se, sa më shumë të rritet stoku i kredisë së dhënë për ekonominë, aq më i ulët rezulton niveli i kredisë me probleme në përqindje. Por në fakt kjo situatë që duket paradoksale, tregon se kredimarrësit po përballen me vështirësi për të shlyer në kohë detyrimet e tyre.








Komente
Komento