TIRANË-Konflikt të sajuar politik e quan nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, çështjen e kredive të buta për strehim dhe vendimin për anulimin e tyre.

“Dua të shpreh keqardhjen e madhe edhe për bllokimin që u është bërë procedurave në bankë rreth 1000 familjeve që me vendim të Këshillit Bashkiak kanë përfituar nga subvencionimi i kredive”, është shprehur Bozdo në një deklaratë për media, ndërsa i bën thirrje qeverisë shqiptare “të vërë në plan të parë interesat e qytetarëve”.

Ai bën të ditur, se, megjithatë, Bashkia e Tiranës, “do të vijojë normalisht procedurat e përzgjedhjes së personave që përfitojnë  subvencionimin e interesave të kredisë”.
 
 “Ndërprerja nga Enti Kombëtar i Banesave i procedurës për miratimin e përfituesve nga programi i strehimit për subvencionimin e interesave të kredisë, është në shkelje të ligjeve të vendit dhe të kartës së autonomisë vendore”, shprehet Bozdo.

Përmes një letre drejtuar Entit Kombëtar të Banesave, Bashkia e Tiranës “ka argumentuar ligjërisht, papajtueshmërinë dhe tejkalimin e kompetencave të Entit Kombëtar të Banesave, në kërkesën për ndërprerjen e procedurave për programin e strehimit”. 

Sipas një deklarate të Bashkisë së Tiranës, Enti Kombëtar i Banesave nuk ka asnjë kompetencë për të pezulluar një procedurë të miratuar me VKM.

“Bashkia e Tiranës ka ndjekur procedurat ligjore për përzgjedhjen e fituesve të programit social të subvencionimit të interesave të kredisë, brenda kuotave të miratuara nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe një kopje të tyre ia ka dërguar Entit Kombëtar të Banesave”, bëhet e ditur në njoftim.
 
 
Sipas tyre, Prefekti është i vetmi institucion administrativ që verifikon ligjshmërinë e akteve të miratuara nga organet e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qark.
“Prefekti i Tiranës ka konfirmuar të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak, për listat e përfituesve nga programi i strehimit për subvencionimin e interesave të kredisë”, shpjegohet nga Bashkia e Tiranës.

“I vetmi institucion që auditon veprimtarinë ekonomike e financiare të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetëror, është Kontrolli i Lartë i Shtetit, kompetencë të cilën në letrën drejtuar Bashkisë së Tiranës, Enti Kombëtar i Banesave ia njeh vetes!”.

Në njoftimin e Bashkisë së Tiranës përmendet edhe “Karta europiane e Autonomisë Vendore”, e cila “përcakton se autonomia vendore nënkupton të drejtën dhe aftësinë e bashkësive vendore për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e tyre dhe në të mirë të popullsive të tyre, një pjesë të mirë të çështjeve publike. Kërkesa e Entit Kombëtar të Banesave është shkelje e drejtpërdrejtë e autonomisë vendore”.
 
Duke konkluduar, Bashkia e Tiranës, rithekson se “kërkesa e Entit Kombëtare të Banesave për ndërprerjen e procedurës së miratimit të përfituesve nga ky program social, nuk është i mbështetur në asnjë akt ligjor e për rrjedhojë nuk mund të sjellë si pasojë juridike, pezullimin e kësaj praktike”.

Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë 872 familje që kanë aplikuar për kredi të butë. Një pjesë e dosjeve të plotësuar prej tyre presin miratim në Këshillin Bashkiak dhe pjesa tjetër është në proces shqyrtimi, në bazë të kritereve të përcaktuara qartë në VKM. 
 
 FONDET E BASHKISË TË BLLOKUARA. DERI NË FUND TË SHKURTIT ASNJË VEPRIM
 I pyetur lidhur me buxhetin e Bashkisë së Tiranës, i cili ka kaluar një muaj që është bllokuar, ndërkohë që mbledhja e radhës është vendosur në fund të shkurtit, Bozdo është shprehur se deri në fund  të muajit shkurt, “Bashkia e Tiranës nuk do të jetë në gjendje të operojë me buxhetin e saj”.
 
“Ka kaluar një muaj që është bllokuar dhe për fat të keq, dje u njoftuam zyrtarisht nga Këshilli Bashkiak që mbledhja e radhës është vendosur në “kalendat greke” apo praktikisht në fund  të muajit shkurt, çka do të thotë që edhe këtë muaj, edhe muajin në vijim, Bashkia e Tiranës nuk do të jetë në gjendje të operojë me buxhetin e saj.

Me pak fjalë jemi në statusin e plotë të bllokimit të investimeve, të bllokimit të pagesave për shërbime për qytetarë të Tiranës dhe absolutisht është një situatë e papranueshme, e papranueshme për interesat e qytetarëve të Tiranës, por e papranueshme edhe për faktin sepse ky bllokim nuk është gjë tjetër veçse me 'background' apo skenarë të pastër politikë. Edhe njëherë tjetër, thirrja i shkon kryeministrit, i shkon qeverisë, Bashkia e Tiranës nuk ka lidhje me konfliktin politik të sajuar, të stisur, Bashkia e Tiranës është këtu për t’ju shërbyer qytetarëve, për të investuar për çerdhet, kopshtet, shkollat.

Projekti i buxhetit është plotësisht i detajuar për këtë gjë, të gjitha gjërat janë marrë parasysh, kështu që nuk ka asnjë arsye jo vetëm për ta shtyrë por për ta mos miratuar atë. Prioritetet tona, ato që janë diskutuar me komunitetet me vite me radhë, planifikimi i buxhetit afatmesëm 3-vjeçar nuk ndryshon, investimet janë po ato, shkollat janë po ato, çerdhet janë po ato, nuk ka asnjë arsye për të kërkuar kohë suplementare për ndryshime që kanë ardhur jo për shkakun tonë por nga qeveria qendrore, edhe një muaj, duke e bllokuar. Praktikisht deri në fund të shkurtit kemi 1/6 e vitit të bllokuar”, shpjegoi nënkryetari Bozdo.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)