Kremlini konfirmon vizitën e Lavrovit në Serbi

Kremlini konfirmon vizitën e Lavrovit në Serbi

Sergei Lavrov

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më 3 qershor, ka konfirmuar se ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov do të vizitojë Serbinë.

Në konferencën e saj për shtyp, Zaharova tha se Lavrov do të jetë në Serbi nga 6 deri më 7 qershor.

Ajo tha është planifikuar që Lavrov të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefin e diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq dhe kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq. Shtohet se është planifikuar që Lavrov të takohet edhe me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

“Pritet që të bisedohet më detajisht për çështjet e bashkëpunimit dypalësh politik dhe ekonomik, të shkëmbehen mendime për situatën në rajonin e Ballkanit, si dhe për problemet aktuale ndërkombëtare”, tha Zaharova, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme ruse.

Njoftimi për vizitën e Lavrovit ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht në Serbi, ndërsa në faqen e internetit të Presidentit të Serbisë thuhet se Aleksandar Vuçiq do të jetë në Maqedoninë e Veriut nga data 7 deri më 8 qershor, ku do të marrë pjesë në takimin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 qershor deklaroi se situata rreth vizitës së paralajmëruar të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, në Beograd po komplikohet.

Vuçiq, gjatë qëndrimit në Bratisllavë, i ka thënë Televizionit Pink se nuk ishte i gatshëm të jepte më shumë detaje.

“Po komplikohet, padyshim që po komplikohet. Nuk jam gati të flas ende për këtë, por po – po komplikohet. Çështja është se si do të vijë... do të shohim”, shtoi Vuçiq.

Subjekti opozitar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) dënoi vizitën e Lavrov. Kjo parti, më 31 maj, përmes një deklarate tha se ishte e papranueshme që ministri Lavrov të pritej solemnisht në Beograd, derisa sa po vazhdon agresioni ushtarak i Rusisë në territorin e Ukrainës.

Vizita e Lavrov u dënua gjithashtu nga një grup joformal që kundërshton pushtimin e Ukrainës, i cili mbledh rusë, ukrainas, bjellorusë dhe serbë në Serbi.

Ata i bënë thirrje presidentit të Serbisë dhe organeve shtetërore që t’i mohojnë mikpritjen kreut të diplomacisë ruse, duke thënë se pritja e këtij zyrtari të lartë do të nënkuptonte “mungesë të qartë të dënimit të agresionit dhe ndjeshmërisë për vuajtjet e njerëzve në Ukrainë, si dhe renditje të Serbisë në anën e agresorit dhe anulimin i votës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Rezolutën që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës”.

Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë, por ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë.

Serbia dhe Rusia tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe, të forcuara nga varësia e Serbisë nga gazi rus./REL

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja