RUSI-Kremlini ka mohuar gjatë ditës së djeshme akuzat e ngritura nga Mali i zi për një përfshirje të Rusisë në grushtin e shtetit në tetor të vitit të kaluar, i cili sipas autoriteteve lokale u arrit të parandalohej pak orë përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare.

"Këto fjalë janë shumë serioze. Dështimi për t'i mbështetur ato me informacione të besueshme është i papërgjegjshëm", është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cli ka shtuar se këto akuza janë të papërgjegjshme.

Akuzat për një përfshirje të Rusisë në grushtin  e shtetit në Mal të Zi, janë ngritur pak kohë më parë nga prokurori special Millivoje Katniq, i cili  është shprehur se ishte vërtetuar se institucionet shtetërore ruse, ishin përfshirë në grushtin e shtetit.

Sipas autoriteteve të Malit të Zi, një grusht shteti u parandalua më 16 tetor të vitit 2016, pak orë përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vend, ku kishte si synim sjelljen e figurave opozitare në pushtet me qëllim parandalimin  e anëtarësimit të vendit në NATO.

Ndërkohë partitë opozitare e kanë akuzuar ish-kryeministrin Millo Gjukanoviq dhe aleatët e tij për fabrikim të komplotit.

Në bazë të hetimeve për grushtin e shtetit, parlamenti në Mal të Zi, u votuar edhe heqjen e imunitetit për dy figurat kryesore politike të opozitës, pas një kërkese të prokurorisë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com