■ Spartak Ngjela-PLD: Kjo është një shoqëri që nuk e njeh marrëveshjen që bëhet. Kjo është një shoqëri primitive që nuk e njeh zbatimin e termit ‘marrëveshje’. Unë nuk jam i shqetësuar nga vonesa për takimin. Nuk di gjë se kur do bëhet takimi. Nuk na kanë thënë. Unë nga ana ime i kam dhënë pretendimet e mia dhe nuk kam asnjë problem. Pres që ato të zbatohen.
 
■ Petro Koçi-PSV 91: Besoj se pjesëmarrja e aleatëve në bashkëqeverisje do zgjidhet në mënyrë parimore dhe përpjestuese, në raport me kontributet, vlerat dhe rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ne jemi në pritje të takimit.
 
■ Gjet Ndoj-AAK: Ajo që unë do të them se jemi brenda limiteve kohore dhe padurimi nuk ka vend. Jemi brenda limiteve kohore përsa na përket ne si AAK. Përsa i përket punës si koordinator, vazhdoj konsultimet me aleatët për të parë se deri ku janë pretendimet, ku natyrisht është marrëveshja orientimi kryesor. Përgjithësisht ka dhe një mirëkuptim nga kryetarët e partive për të qënë brenda marrëveshjes, nuk ka pretendime të ekzagjeruara në adresë të kryeministrit të zgjedhur. Presim nga momenti në moment, ndoshta në javën e ardhshme që gjithë problematika të relatohet me kryeministrin e zgjedhur, në funksion të arritjes së akordit nga ana ime, ndoshta dhe nga krerët e partive aleate, për të definuar për secilin prej tyre marrëveshjen dhe implementuar atë në qeverisjen e pas pak ditëve.
 
■ Dhimitër Muslia-PKDSH: Jemi në pritje të takimit, por ajo që mund të them është se ne jemi brenda afateve dhe limiteve kohore. Pasi  marrëveshja zbatohet dhe kur të fillojë punë qeveria. Prandaj nuk ka asnjë vend për ngutje. Do presim që të zbatohet marrëveshja.