Rama-Nishani
Edhe pse mund të konsiderohet si një rastësi në orarin e vizitës, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i vendit Bujar Nishani ishin njëkohësisht në Katedralen Katolike në Tiranë gjatë urimit për festën e Krishtlindjeve. Kjo gjë mund të interpretohet edhe si një ngrohje të relatave ndërmjet dy institucioneve të vendit pasi Rama ka deklaruar gjithmonë se Nishani është një person formal në atë post. Kjo armiqësi ndërmjet tyre u dallua edhe nga ballo e organizuar nga presidenca pak dit më parë ku kreu i ekzekutivit nuk shkoi. Në fjalën e tij gjatë vizitës në katedralen ortodokse Rama pohoi: “Uroj të gjithë qytetarët e të gjitha besimeve fetare në vendin tonë. Nënvizoj, kënaqësinë se në këtë ditë kur fryma e solidaritetit me më të dobëtin, ata në nevojë, ata që kërkojnë rrugë shprese, kulmon, jemi optimist që viti që vjen, do të jetë pikërisht një vit nën këtë frymë dhe nën këtë shenjë”.
Meta-Basha
E njëjta rastësi duket se ndodhi edhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha si edhe Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Që të dy personalitetet ishin në të njëjtin orar gjatë vizitës së tyre në Katedralen Ortodokse në Tiranë. Por ndryshe nga herët e tjera, opozita shqiptare ishte e përfaqësuar nga kryetari i tyre i ri, Lulzim Basha, pasi në 22 vitet e shkuara Partia Demokratike është përfaqësuar nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili shoqërohej gjithmonë nga bashkëshortja e tij si edhe nga Jozefina Topalli. Në takimin e djeshëm Basha dhe Meta bënë një shtërngim duarsh ndërmjet tyre si edhe dhanë urimet për festën e Krishtlindjeve.
“Në ditën e Krishtlindjeve rilindin dhe forcohen shpresat tona për një Shqipëri më të mirë, jo vetëm për veten tonë, por edhe për brezat që vijnë. Natyrisht është edhe një ditë që na fton për të qenë më të bashkuar më solidarë dhe më të dashur me njëri-tjetrin për të punuar së bashku për këtë Shqipëri të cilën dëshirojnë të gjithë qytetarët tanë. Edhe një herë gëzuar të gjithë besimtarëve të krishterë por edhe të gjithë qytetarëve tanë”, - tha kreu i LSI pas vizitës në Katedralen Ortodokse në Tiranë. Ndërsa Basha uroi besimtarët e krishter duke theksuar se Tirana është simboli i harmonisë fetare ashtu si e gjithë Shqipëria.
Shkrimi u publikua sot (26.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)