Kreu i Ballit Kombëtar letër Bashës:
Aleanca mes PD e Ballit ka degradua

Kreu i Ballit Kombëtar letër Bashës:<br />Aleanca mes PD e Ballit ka degradua
TIRANE - Adriatik Alimadhi kryetar i Partisë Balli Kombëtar, i ka drejtuar një letër të hapur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku deklaron se aleanca mes Ballit Kombëtar dhe PD-­së ka degraduar, pasi marrëveshja e koalicionit u prish në mënyrë të njëanshme nga Partia Demokratike.

Alimadhi, që në fillim të letrës së tij shprehet: “Jam ndjerë i dyzuar këto ditë nëse duhet t’i bëj me dije edhe opinionit publik, ashtu siç kam vënë në dijeni strukturat dhe anëtarësinë e Ballit Kombëtar, lidhur me dakordësimin për bashkëpunim mes nesh dhe Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015”.
 
Letra e plotë e Adriatik Alimadhit
 

Letër e Hapur
Drejtuar Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha
 
I nderuar Z. Basha!
 
Duke shkruar këtë letër të hapur jam shumë i keqardhur që komunikimi mes dy aleatëve të pandarë që prej rënies së komunizmit në Shqipëri mbërriti në këtë nivel, e në të njëjtën kohë ju siguroj se është forma më e papëlqyer e komunikimit me partnerët nga ana ime, që po e ndërmarr në kushtet e shterimit të përpjekjeve më normale dhe më të dinjitetshme që kam provuar të realizoj me ju. Jam i keqardhur edhe për faktin se sot në vend se të shkruaja këtë letër të hapur do të doja ta shihja veten bashkë me ju në një takim mes aleatësh për të shprehur një qëndrim të përbashkët për ngjarjen e rëndë për shqiptarët në Kumanovë.
 
Z.Basha!
 
Jam ndjerë i dyzuar këto ditë nëse duhet t’i bëj me dije edhe opinionit publik, ashtu siç kam vënë në dijeni strukturat dhe anëtarësinë e Ballit Kombëtar, lidhur me etapat në të cilat është ndërtuar komunikimi dhe dakordësimi për bashkëpunim mes nesh dhe Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015.
 
Sot mund të them se ky komunikim dhe dakordësim për bashkëpunim dypalësh mes Ballit Kombëtar dhe Partisë Demokratike në kuadër të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, ka degraduar plotësisht dhe ekskluzivisht për shkak të mungesës së vullnetit, mosnjohjes dhe mosrespektimit të Ballit Kombëtar si aleat i qëndrueshëm e besnik, dhe më e rëndësishmja, për shkak të paqëndrueshmërisë për marrëveshjen e dakordësuar nga ana juaj dhe negociatorëve të Partisë Demokratike.
 
Si mund të katandisni me kaq lehtësi aleancën historike mes nesh në një marrëdhënie që e vë Ballin Kombëtar në pozita poshtëruese? Kjo është e papranueshme!
 
Nuk e gjej aspak të udhës që të paraqes këtu detajet e një komunikimi që brenda një muaji katandisi një aleancë mes dy partish aleate, në një marrëdhënie ortakërie jokorrekte, ku aksioneri më i madh tërhiqet dhe rishikon në mënyrë egoiste kohë e pa kohë marrëveshjet e firmosura, dëshmon mungesë të theksuar respekti ndaj tjetrit, e për më tepër e shtyn në pozitën e rivlerësimit të kësaj marrëdhënieje.
 
Megjithatë, është në interes të argumentimit para opinionit publik të përmend këtu se:
1-Më 1 Prill 2015, në takimin e parë të partive opozitare për përgatitjen për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015, ju në fjalën tuaj na garantuat vullnetin e Partisë Demokratike për të bashkëpunuar dhe bashkërenduar punët me objektiv fitoren e këtyre zgjedhjeve.
 
2-Në takimin që pasoi me grupin negociator të forcës tuaj politike, Balli Kombëtar nuk paraqiti asnjë kusht për bashkëpunimin, por kërkoi që Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet të prezantohet në këto zgjedhje me një përfaqësim të Ballit Kombëtar, sipas rëndësisë së tij politike, kontributit të dhënë në koalicionet e mëparshme zgjedhore dhe synimeve për rezultate sa më të mira në zgjedhje. Megjithatë, në përgjigje të kërkesës këmbëngulëse të grupit negociator demokrat, propozuam kandidatë për tre kryebashkiakë dhe për të paktën një këshilltar në vend të sigurtë në listë për çdo bashki të vendit.
 
3-Grupi negociator na deklaroi në takimin vijues vendimin tuaj dhe të Partisë Demokratike për të pranuar propozimin tonë për Bashkinë e Selenicës dhe mori në shqyrtim propozimin tonë tashmë për këshilltarë jo në 61, por vetëm në 36 bashki të vendit, duke rrëzuar në këtë mënyrë pretendimet tona të përligjura dhe realiste të paraqitura në takimin e parë. Kjo ishte gjysma e së keqes. Tinëzisht, vetëm disa orë më vonë, Partia Demokratike paraqiti në media kandidatin e saj për bashkinë në fjalë. Ankesa ime mori një përgjigje të pasinqertë si nga ana juaj dhe nga ana e negociatorit tuaj. Ju nuk kishit dijeni për çfarë kishte ndodhur, por çuditërisht kishit tashmë një propozim tjetër. I jepnit Ballit Kombëtar mundësinë të kishte kandidatë për këshilltarë në vende të sigurta në 25 bashki të vendit! A shtyhesh dot me aleatin e madh?! Kërkuam një këshilltar të 26-të në Vlorë, si për të përtypur më lehtë padrejtësinë. Dakort,-na thatë,- me të dyja duart!
 
4-Në përmbyllje të kësaj marrëdhënieje ndërpretë konsultimin, hartuat listat pa na pyetur dhe nuk iu përmbajtët as edhe angazhimit tuaj më minimalist, duke e vendosur Ballin Kombëtar në pozitat më të pafavorshme të regjistruara ndonjëherë gjatë aleancës historike me Partinë Demokratike. Ju vendosni që Balli Kombëtar të prodhojë nga rezultati zgjedhor pesë a gjashtë këshilltarë, ndër 1600 të tillë në të gjithë vendin?! Kryetarin e Ballit e rendisni të njëzetekatërtin në listën e opozitës për Këshillin e Bashkisë Tiranë?! E keni seriozisht zoti Basha?!
 
Që të mos vijoj të rendis argumente të tjera, po e ripërsëris pyetjen:-E keni seriozisht zoti Basha?
 
Si mund të trajtoni në këtë mënyrë një parti aleate? Si mund të mos merrni parasysh për asnjë çast kontributet reale të Ballit Kombëtar në të gjitha arritjet e Partisë Demokratike? Si mund të injoroni rolin e përfaqësuesve të Ballit Kombëtar? A duhet të dyshojmë se ju po tentoni tkurrjen apo më keq akoma asgjësimin politik të Ballit Kombëtar?
 
Zoti Basha!
Dëshiroj shumë t’i jap forcë mendimit se ju thjesht keni humbur vëmendjen ndaj aleatëve. Edhe pse një ditë më parë partia tjetër aleate, PLL ndau me opinionin publik të njëjtat shqetësime, përsëri unë dëshiroj t’i jap forcë mendimit se ju thjesht keni humbur vëmendjen ndaj aleatëve, e rrjedhimisht edhe ndaj një elektorati tradicionalisht të djathtë, saktësisht përbërësi thelbësor i së djathtës.
Dëshiroj shumë t’i jap shtysë besimit se ju thjesht nuk po përballoni lakminë e madhe të funksionarëve tuaj për t’u përfaqësuar politikisht në dëm të interesave dhe përfaqësimit të ndershëm të partive aleate, natyrisht edhe të Ballit Kombëtar. Dëshiroj shumë t’i jap shtysë besimit se ju nuk dëshironi goditjen e interesave të Ballit Kombëtar, pavarësisht se komunikimi me ju dhe negociatorët tuaj dhe vendimet e deritashme më kanë dhënë arsye të forta për të dyshuar të kundërtën.
 
Dëshiroj shumë t’i jap jetë idesë se ju do të gjeni rrugën e drejtë të bashkëpunimit të ndershëm dhe të sinqertë me Ballin Kombëtar, ashtu siç ju ka hije dhe siç e do interesi i së djathtës në Shqipëri. Dëshiroj shumë t’i jap jetë kësaj ideje edhe pse lëvizjet politike dhe pozicionimi juaj i deritashëm më bëjnë të dyshoj për vullnetin tuaj.
 
I nderuar zoti Basha!
 
Nëse po veproni me ndërgjegje kundër interesave të Ballit Kombëtar, i shtyrë nga interesa të vogla, jo madhore të Partisë Demokratike, gjykoj se po gaboni politikisht.
 
Nëse po gaboni për shkak të indiferencës apo mosnjohjes së rolit dhe kontributeve të Ballit Kombëtar, ju bëj thirrje të rivlerësoni dhe korigjoni qëndrimin tuaj dhe të zbatoni atë marrëveshje që ju vetë na keni propozuar dhe e kemi firmosur së bashku.
 
 Sinqerisht,
Adriatik Alimadhi
Kryetar i Partisë Balli Kombëtar 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë