ZVICËR - Presidenti i FIFA-s (organizmi botëror i futbollit), Gianni Infantino, ka bërë një njoftim të rëndësishëm gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke konfirmuar se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të jetë pjesë e ceremonisë së dorëzimit të Kupës së Botës 2026 për fituesit e turneut.
Infantino u prit me tone entuziaste nga Trump përpara kamerave, i cili e prezantoi presidentin e FIFA-s me fjalët: “Ja ku është Gianni, ai është mbreti i futbollit, mbreti i sportit”.
Në përgjigje, Infantino u shpreh me të njëjtin admirim, duke zbuluar planin për ceremoninë finale të Kupës së Botës.
“Verën e ardhshme, do t’ia dorëzoj Kupën e Botës kampionit së bashku me presidentin e Shteteve të Bashkuara”.
Ky njoftim konfirmon rolin e Trump në ngjarjet madhore të futbollit, pas precedentit të vendosur verën e kaluar në Kupën e Botës për Klube, ku presidenti i SHBA-së i dorëzoi trofeun Chelseat pas fitores ndaj Paris Saint Germain.
Duke folur më gjerësisht në Davos, Infantino e shfrytëzoi momentin për të theksuar rolin e futbollit si faktor bashkues në një botë të polarizuar.
“Ne jetojmë në një botë të ndarë, por ne mbështesim paqen. Njerëzit i besojnë FIFA-s dhe vendeve pritëse. Amerika do ta mirëpresë botën,” u shpreh kreu i FIFA-s.
Kupa e Botës 2026 do jetë më e madhja në histori, me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente











