Kreu i FMN të premten në
Shqipëri, gati takimi me Fullanin

Kreu i FMN të premten në<br />Shqipëri, gati takimi me Fullanin
TIRANE- Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Nadeem Ilahi do të mbërrijë të premten në vendin tonë. Ai do të zhvillojë takime me Guvernatorin Fullani, ministrin e Financave Cani, si dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Ahmetaj. Dje, anëtarët e delegacionit kanë zhvilluar takime me drejtorët e ministrisë së Financave ku janë marrë të dhënat mbi të ardhurat dhe shpenzimet, si dhe mbi buxhetin e këtij viti si dhe parashikimet për vitin e ardhshëm.

Pjesë e takimit mësohet të ketë qenë dhe diskutimi mbi buxhetin afatmesëm si dhe mbi pritshmëritë e qeverisë shqiptare në këto për tri vitet e ardhshme. Ndërkohë që nesër ekspertët e FMN-së do të zhvillojnë bisedime dhe me drejtuesit e bankës së Shqipërisë si dhe me drejtoreshën e Tatimeve, Briseida Shehaj. Burimet kanë bërë të ditur se sa i përket bankës është parashikuar dhe marrja e të dhënave mbi situatën e krijuar pas zbulimit të vjedhjes në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Të dhënat e kërkuara mësohet të kenë qenë mbi ndikimin e kësaj situate ne bankat e nivelit të dytë si dhe mbi masat që ka parashikuar të marrë Banka e Shqipërisë për të frenuar përsëritjen e situatës.

Sa i përket tatimeve mësohet se temë e diskutimeve do jetë niveli i të ardhurave dhe reagimi i bizneseve ndaj ndryshimeve të bëra në legjislacionin shqiptar. Gjithsesi deri të premten takimet do të jenë vetëm në nivel ekspertësh dhe drejtorësh. Ndërsa ditën e premte me mbërritjen dhe të shefit të FMN-së për Shqipërinë dhe niveli i diskutimeve do të jetë dhe më i lartë. Stafi i FMN-së do të shqyrtojë të dhënat mbi zhvillimet në ekonominë shqiptare deri në fillim të muajit shtator. Ndërsa mësohet se në datën 8 të shtatorit do të jepen konkluzionet e të gjithë takimeve si dhe rekomandimet që i janë dhënë qeverisë shqiptare.  

Ekspertët janë shprehur se një pikë kyçe e diskutimit do të mbetet ajo e përdorimit të fondeve që mbesin pa u përdorur nga ministritë. Kjo pasi këtë vit pritet që të mos ketë rishpërndarje të tyre, por dhe as kalim për shlyerje të një pjese të borxhit të jashtëm. Në këtë pikë është kërkuar krijimi i një fondi të posaçëm për përballimin e situatave të vështira në të ardhmen. Duke e parë si një pikë mbështetje për zhvillimin e ekonomisë, e parë në një buxhet afatmesëm. Por dhe niveli i kreditimit dhe sjelljes së bankave të nivelit të dytë ndaj kërkesave të tregut mbeten pika të rëndësishme të diskutimeve.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)